Janë botuar dy faqe të reja nga ditari i Anne Frank, që përmbajnë disa shaka me konotacion seksual dhe mendimet e saj mbi seksin.

Ditari, i shkruar në fshehtësi nga nazistët, u bë botërisht i famshëm kur u botua pas vdekjes së saj dhe në fund të luftës.

Faqet e fshehura ishin mbuluar me letër në ngjyrë kafe, me sa duket për të fshehur shkrimet e saj të rrezikshme nga familja e saj.

Teknikat e reja të pasqyrimit kanë bërë të mundur më në fund që studiesit t’i lexojnë ato.

Shënimet u shkruan më 28 shtator 1942, jo shumë kohë pasi Anne, 13 vjeç në atë kohë, iu desh të fshihej.

“Do ta përdor këtë faqe për të shkruar shaka “të pista”

, shkruante ajo në një faqe me disa fraza të kryqëzuara duke shkruar katër shaka të pista që ajo dinte.

Ajo shkroi disa rreshta në lidhje me edukimin seksual, duke imagjinuar se ajo duhej të bisedonte me dikë për këtë dhe duke përmenduar prostitutat, për të cilat diku tjetër kishte shkruar se babai i saj i kishte folur në lidhje me to.

“Anne Frank shkruan për seksualitetin në një mënyrë çarmatosëse”

, tha Ronald Leopold i Muzeut të Shtëpisë së Anne Frank në Amsterdam.

“Si çdo adoleshent tjetër, ajo është kurioze për këtë temë”.  

Mendimet e saj u shpërndanë nga Frank van Vree, drejtor i institutit Niod, i cili ndihmoi në deshifrimin e faqeve nga fotografitë e reja të realizuara në 2016.

“Kushdo që lexon pasazhet që janë zbuluar nuk do të jetë në gjendje të ndrydhë buzëqeshjen”

, tha ai.

“Shakatë e pista” janë të zakonshme në mesin e fëmijëve që po rriten. Ata e bëjnë të qartë se Anne, me të gjithë talentet e saj, ishte mbi të gjitha një vajzë e zakonshme”.

Një nga shënimet e saj thotë:

“A e dini pse vajzat e ushtrisë gjermane Wehrmacht janë në Holandë? Sepse shërbejnë si dyshekë për ushtarët”.

Muzeu Anne Frank tha se kjo nuk ishte e vetmja herë kur vajza adoleshente shkroi për seksin, duke përmendur shaka të tjera që kishte dëgjuar në shtëpinë e saj, të fshehura nëpër pasazhe rreth periudhave të saj të seksualitetit.

Duke shkruar për vendimin për të publikuar faqet që Anne qartazi do të donte t’i mbante të fshehura, muzeu tha se ditari i saj, një dokument i trashëgimisë botërore i mbrojtur nga UNESCO kishte interes të rëndësishëm akademik.

Ata gjithashtu thanë se faqet nuk ndryshonin imazhin e Anne.

“Gjatë gjithë këtyre dekadave Anne është rritur për t’u bërë simboli mbarëbotëror i Holokaustit dhe ana vajzërore e Anne është zbehur në sfond”,

tha muzeu në një deklaratë.

Anne Frank u fsheh në një aneks në biznesin e babait të saj më 5 Korrik 1942, rreth një muaj pasi kishte marrë dhuratë një ditar për 13 vjetorin e saj të lindjes.

Ajo ka jetuar atje me familjen dhe miqtë e tyre, Van Pels, deri kur u zbuluan dy vjet më vonë. Si u gjetën pas kaq shumë kohësh fshehjeje mbetet një mister.

Anne Frank vdiq nga një sëmundje në një kamp nazishtësh në vitin 1945, në fund të luftës. Babai i saj, i vetmi anëtar i familjes që mbijetoi, e botoi ditarin në vitin 1947.

Burimi: BBC 

Përshtati: tvklan.al