Zbardhet identiteti i biznesmenit grek të arrestuar me një sasi të madhe kokaine së bashku me tre shqiptarë në Greqi.

Biznesmeni është Athanasios Karatzounis, i cili u kap me 20 kg kokainë të mërkurën e kaluar në Trikala.

Policia greke nuk e ka njoftuar zyrtarisht aksionin, por ngjarja është zbuluar nga shtypi grek. Mediat greke njoftojnë se biznesmeni Athanasios Karatzounis është pronar i një kompanie nafte në Shqipëri. Ai ka qenë gjithashtu president i një klubit të futbollit në Greqi si dhe pronar i një kompanie domatesh në vendin fqinj.

 Në pronën e biznesmenit u gjetën 100 mijë Euro cash dhe 10 kg kokainë. Kurse pjesa tjetër e kokainës prej 10 kilogramësh, iu gjetën njërit prej shqiptarëve të arrestuar. “Zougla.gr” raporton se e gjithë sasia e kokainës i përket biznesmenit grek. Ai së bashku me 3 shqiptarët janë pjesë e një rrjeti droge në të gjithë Ballkanin.

Policia greke nuk ka dhënë ende informacione zyrtare, pasi operacioni anti-drogë është ende në zhvillim dhe priten arrestime të tjera.

Profili i biznesmenit grek

Athanasios Karatzounis është biznesmen i njohur në Trikalla të Greqisë, pasi ka qenë president i ekipit lokal të futbollit.

Ai ka qenë i arrestuar dhe i dënuar me 4 vite burg në vitin 2000 së bashku me një afërmin e tij për kontrabandë cigaresh nga Holanda në Greqi. Ata apeluan vendimin e Shkallës së Parë dhe Gjykata e Apelit i la të lirë.

/Përktheu dhe shqipëroi tvklan.al