Pesë persona janë vënë në pranga gjatë një operacioni të koduar “psikologu” që çoi në goditjen e një rrjeti kriminal që fuste drogë në burgun e Durrësit.

Nga një hetim dy mujor u zbulua se i përfshirë ishte edhe psikologu i burgut, Arjan Belishova 49 vjeç. Të arrestuarit e tjerë janë Astrit Hushi 50 vjeç, Saimir Zotkaj 32 vjeç i burgosur, Serxhio Shtjalshi 24 vjeç shitës në burgun e Durrësit dhe Sadiol Duma 38 vjeç.

Policia thotë se Astrit Hushi i dyshuar në rolin e ndërmjetësit, siguronte lëndën narkotike tek Sodiol Duma i dyshuar në rolin e furnizuesit, dhe i’a jepte Arjan Belishovës (i dyshuar në rolin e korrierit).

Belishova i’a dorëzonte lëndën narkotike Saimir Zotkaj, i cili është i burgosur në I.E.V.P. Durrës. Saimir Zotkaj (i dyshuar në rolin e shpërndarësit) e shpërndante lëndën narkotike në ambientet e burgut.

Serxhio Shtjalshi, punonjës në lokalin e burgut merrte lekët nga Saimir Zotkaj dhe i’a jepte Astrit Hushit, lekë me të cilat ky i fundit blinte lëndën narkotike dhe paguante psikologun.

Astrit Hushi është kapur në flagrancë më 27 korrik duke i dhënë lëndën narkotike Arjan Belishovës, të ndarë në doza, si edhe një sasi lekësh për punën që do kryente A. Belishova, duke e futur lëndën narkotike në ambientet e burgut.

Kështu, gjatë operacionit u sekuestruan 42.5 gr heroinë, 13 gr kokainë, 36 gr kanabis, 2 peshore elektronike, 3250 euro dhe 27.500 lekë.

Nga veprimet hetimore të kryera janë zbardhur dhe dokumentuar 6 ngjarje, ku shtetasit e mësipërm dyshohet se janë të implikuar, konkretisht si më poshtë vijojnë:

1. Më datë 05.02.2017, në ambientet e I.E.V.P. Durrës janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale 68 gr. lëndë narkotike e dyshuar e llojit Cannabis Sativa.

2. Më datë 19.02.2017, në ambientet e I.E.V.P., Durrës janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale 34 gr. lëndë narkotike e dyshuar e llojit Cannabis Sativa.

3. Më datë 28.02.2017, në ambientet e I.E.V.P. Durrës janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale 110.5 gr. lëndë narkotike e dyshuar e llojit Cannabis Sativa.

4. Më datë 18.03.2017, në ambientet e I.E.V.P. Durrës janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale 35.5 gr. lëndë narkotike e dyshuar e llojit Cannabis Sativa.

5. Më datë 17.05.2017, në ambientet e I.E.V.P., Durrës janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale 34.5 gr. lëndë narkotike e dyshuar e llojit Cannabis Sativa.

6. Më datë 05.07.2017, në ambientet e I.E.V.P. Durrës janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale 1.5 gr. lëndë narkotike e dyshuar e llojit Cannabis Sativa.

Hetimet vijojnë për shtetas të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale. /

tvklan.al