Policia e Tiranës ka zbuluar mekanizmin se si makinat e vjedhura hynin në Shqipëri dhe më pas falsifikoheshin dokumetet për t’u shitur tek qytetarët. Futja e mjeteve bëhej nga shtetas të huaj, të cilët merrnin automjetin e tyre dhe përshkruanin rrugën tokësore kryesisht nga Mali i Zi.

Të huajt bashkëpunojnë me shtetas shqiptarë. Ata, sipas hetuesve falsifikonin të dhënat e mjetit, si numrin e shasisë, numrin elektronik dhe dokumentet. Më pas, detyra e fundit ishte gjetja e blerësit.

Në momentin që bëhej e mundur ndërhyrja në numrin e shasisë së mjetit, shtetasit e huaj ktheheshin në vendin e origjinës dhe denonconin mjetin e tyre si të humbur ose të vjedhur.

Procedurat e tjera ndiqeshin nga bashkëpunëtorët shqiptarë duke tjetërsuar të dhënat e automjetit. Pasi i ndryshonin numrin e shasisë dhe të dhënat e tjera, i regjistronin këto mjete në emër të blerësit shqiptarë.

Nga ky operacion u vu re se pjesa më e madhe e blerësve kishin djeni që këto automjete ishin të trafikuara, ndaj u bëhet thirrje qytetarëve të mos bien pre e këtyre rrjeteve të trafikimit për të përfituar automjet me çmim më të lirë. Zbardhja e skemës nga blutë vjen pas bllokimit të 6 makinave dhe 2 motorëve, disa ditë më parë.

Tv Klan