Një tjetër pajisje e dyshuar si përgjuese u bllokua nga policia kufitare në Rinas, mbrëmjen e të dielës. Pajisja e identifikuar nga policia me emrin Oscor 5000 E, ishte duke u transportuar nga një shtetas grek. Iraklis Dragunis, 52 vjeç me profesion inxhinier, u ndalua fillimisht nga punonjësit e kompanisë së sigurisë së aeroportit të Rinasit ICTS. Rasti iu raportua efektiveve të policisë së aeroportit të Rinasit dhe po ashtu u njoftua prokurori Julian Zonja.

Dragunis  nuk pranoi të jepte shpjegime të detajuara në lidhje me pajisjen, por ai tha kishte punuar në Tiranë për llogari të një kompanie shqiptare të telefonisë celulare. Ai pretendon se me këtë pajisje ka kontrolluar cilësinë e sinjalit të antenave celulare.

Prokuroria pyeti edhe përfaqësues të kompanisë që ka kërkuar pajisjen. Ajo do të ekzaminohet për të konfirmuar përmbajtjen dhe qëllimin për të cilat është përdorur. Nga të dhënat e  sistemit TIMS rezulton se greku kishte hyrë në Shqipëri, se paku dhjetë herë të tjera. Deri në përfundim të hetimeve, policia vendosi të bllokojë pasaportën e tij. Një muaj e gjysëm më parë policia bllokoi një tjetër pajisjeje në aeroportin e Rinasit. Izraeliti Joram Frig, kishte sjellë pajisjen, pasi një biznesmen e kishte paguar të verifikonte e ambienteve banimit, zyrave e bizneseve të tij për përgjime. Pas ekspertimit të pajisjes izraeliti u la i lirë me vendim gjykate.

Tv Klan