Komisioni i Ekonomisë ka miratuar me votat e mazhorancës dhe opozitës shtyrjen me 10 vjet të afatit për administrimin me koncesion të Minierës së Kromit, Fabrikës së Pasurimit në Bulqizë, Impiantit të Seleksionimit në Klos dhe Uzinës së Ferrokromit në Burrel.

Projektligji u kërkua nga Ministria e Energjisë, e cila në relacionin shoqërues renditi edhe disa prej avantazheve që sjell zgjatja e bashkëpunimit me ACR Holding, pjesë e Balfin Group.

Gëzim Musabelliu – Zv/Ministri Energjisë: “

Parashikohet kryerja e investimeve shtesë në vlerën e 24 mln euro, investime të cilat do të ndikojnë drejtpërdrejt në jetëgjatësinë e shfrytëzimit të minierës”.

Mbështetje ndaj këtij projektligji dha edhe deputeti socialist Ervin Bushati, si relator i çështjes.

Ervin Bushati – Deputet i PS:

“Komisioni mbështet marrëveshjen e koncesionit pasi krijon mundësinë e investimeve të reja, përputh marrëveshjen bazë mbi zhvillimet që kanë ndodhur me legjislacionin dhe në treg, duke bërë më efektiv koncesionin”.

Zgjatja e afatit të koncesionit, jo vetëm do të sillte të ardhura për ekonominë e vendit, por është parashikuar të ruhen edhe vlerat e këtij aseti.

Koli Bele – Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Energjisë:

“Duhet parë më gjerë sa kaq, sepse ka të bëjë në tërësi me zgjatjen e jetës së minierës, rritja e performancës së kësaj marrëveshjeje, ka vlerë të madhe për gjithë industrinë e kromit dhe sigurisht për atë pjesë të ekonomisë kombëtare që kjo reflekton.”

Ish – Kryetari i Bashkisë së Bulqizës, tashmë deputet i Partisë Demokratike, Roland Keta, argumentoi përse do ta votonte këtë projektligj.

Roland Keta – Deputet i PD:

“Është një koncesionar që ka përmirësuar kushtet e punës së minatorëve, një koncesionar që ka rregulluar marrëdhëniet mes minatorëve e sindikatave edhe me pushtetin vendor. I jep një shpresë qytetarëve. ”

Koncesioni i Bulqizës është lidhur ngushtë edhe me jetëgjatësinë dhe shtimin e vendeve të punës në Uzinën e Ferrokromit në Elbasan, si dhe për minierat e kromit të Prrenjasit e Pojskës. Komisioni votoi ‘pro’ për shtimin e afatit kohor edhe për këtë koncesion.

Tv Klan