Banorët që jetojnë në Tufinë dhe Shtish-Tufinë, në verilindje të Tiranës, mbulohen me shërbim të transportit urban. Bashkia e Tiranës ka riorganizuar linjën e autobusit në këtë zonë, duke e zgjatur me tre stacione të tjera. Tanimë, autobusët që e mbyllnin shërbimin e tyre në Tufinë, shkojnë deri në fshatin Shtish, e po ashtu është shtuar numri i mjeteve në qarkullim, çka ka ndikuar në uljen e frekuencës së mbërritjes së tyre në stacione.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, inspektoi linjën Qendër-Shtish Tufinë dhe vuri në dukje impaktin pozitiv që kanë sjellë për qytetarët që përdorin transportit publik ndryshimet si në itinerar, ashtu edhe në automjete. Ai u shpreh se me zgjatjen e kësaj linje deri në fshatin Shtish plotësohet një kërkesë e vazhdueshme e banorëve të zonës, ndërsa garantoi se linja ofron një shërbim dinjitoz dhe më të shpejtë. “Jam shumë i kënaqur sepse mbajmë një premtim, të cilin ua kemi bërë banorëve të zonës, që linja e Tufinës të vinte deri në fshatin Shtish, një zonë kryesisht rurale”, tha Veliaj.

Kryebashkiaku theksoi se shtimi i numrit të autobusëve jo vetëm që ka përballuar zgjatjen e linjës, por ka ulur ndjeshëm frekuencën e mbërritjes së tyre në stacion. “

Sot në këtë linjë njihet aboneja, kemi shtuar 9 autobusë gjithsej, duke mundësuar që shumë fëmijë të ndjekin shkollën, të moshuarit të shkojnë më lehtë për kontrolle në spitale, kurse familjet të mos vonohen në vendet ku punojnë, që kryesisht ndodhen në Tiranën urbane

”, shtoi Veliaj.

Ai tha se falë kontrollit të vazhdueshëm të linjave të automjeteve të transportit urban në Tiranë, është rritur ndjeshëm cilësia e shërbimit. “

E di që shërbimi nuk është ende perfekt, por është si dita me natën me çfarë gjetëm. Fakti që qytetarët sot shprehen më të kënaqur flet fort për punën e mirë që kemi bërë për linjat e autobusëve. Jam krenar që Agjencia e Mbrojtjes së Konsumatorit ka vijuar me një proces rigoroz kontrolli, ka bërë zap linjat e autobusëve dhe më vjen mirë që kemi kaluar nga koha kur shumica e gjobave vendoseshin për çështje që kanë të bëjnë me frekuencën, sot shumica e gjobave kanë të bëjnë me çështje që lidhen kryesisht me pastrimin apo me anomali të tjera. Kjo do të thotë se kemi disiplinuar ndjeshëm çështjen e frekuencës

”, tha Veliaj.

Kryebashkiaku i Tiranës nënvizoi se për të përmirësuar situatën edhe në periudhën e fluksit të mëngjesit, nisja e punës në orare të ndryshme për administratën shtetërore do sjellë edhe një lehtësim të ndjeshëm të situatës në këto orare piku. “

Do të fokusohemi akoma më shumë te pastrimi, te kondicionimi tani që ngrohet koha dhe sigurisht te fluksi i mëngjesit, që falë disa riorganizimeve që kemi bërë me oraret, si për shembull hapja e çerdheve dhe kopshteve në 6 e gjysmë, do të kemi mundësi që ta fazojmë në fasha të ndryshme transportin publik gjatë orëve të mëngjesit”

, u shpreh Veliaj.

Linja e Tufinës ka pësuar një zgjatim deri në fshatin Shtish, duke i shtuar 3 stacione itinerarit të zakonshëm. Falë riorganizimit dhe investimeve janë shtuar numri i mjeteve në qarkullim, çka ka sjellë që në orët e pikut autobusët të mbërrijnë në stacion në një frekuencë për rreth 6-7 minuta. Linja e Tufinës njeh abonetë, ndërsa në të gjitha mjetet është instaluar sistemi GPS, nëpërmjet të cilit monitorohet lëvizja në orar e autobusëve./tvklan.al