Mediat e Kosovës raportojnë se seanca parlamentare për zgjedhjen e Presidentit është planifikuar të mërkurën, më 24 Shkurt ndërsa opozita do të bëjë gjithçka për ta ndaluar.

Kandidati i vetëm për postin e Presidentit të Kosovës është udhëheqësi i Partisë Demokratike, Hashim Thaçi. Data e fundit për zgjedhjen e tij është 7 Marsi.

Nënkryetari i PDK-së, Enver Hoxhaj, megjithëse nuk foli për një datë, nuk mohoi se zgjedhja e kreut të Shtetit të bëhet gjatë kësaj jave, në një seancë solemne.

Nga “Lëvizja Vetëvendosje” shprehen se opozita do të veprojë njësoj si në seancat e mëparshme për të penguar zgjedhjen e Hashim Thçit.

“Një president i zgjedhur në kushtet e një krize institucionale nuk mund të përfaqësojë asnjë institucion dhe aq më pak unitetin, të cilin supozohet ta përfaqësojë edhe me Kushtetutë”, është qëndrimi i opozitës.

Sipas Kushtetutës së Kosovës, zgjedhja e presidentit bëhet me 2/3-tat e votave të 80 nga 120 deputetët.

Nëse nuk arrihet kjo shumicë, do të ketë edhe dy votime të tjera. Nëse dhe ato dështojnë, atëherë Kuvendi shpërndahet dhe shpallen zgjedhjet e reja, që duhet të zhvillohen brenda një afati kohor, prej 45 ditësh.

Tv Klan