Ish- kryeministri Sali Berisha ka reaguar për herë ta parë pas humbjes së thellë të Partisë Demokratike në zgjedhjet parlamentare të 25 qershorit.

Berisha nëpërmjet një postimi në Facebook, nuk nguron të fajësojë kryetarin e Partisë Demokratike Lulzim Basha për humbjen e thellë.

Por njëkohësisht Berisha thotë së është kryesia e partisë ajo që do të vendosë për të ardhmen e Bashës.  

Këto ditë në media ka shpërthyer një polemike e natyrshme lidhur me humbjen tonë në këto zgjedhje dhe shkaqet e saj. Drejtues, por dhe anëtarë të thjeshtë të PD kanë kërkuar dorëheqjen e kryetarit, i cili padyshim është përgjegjësi me kryesor, por natyrisht jo i vetëm për këtë humbje.

Berisha, u bën  thirrje demokratëve të bashkohen si e vetmja mënyrë për të gjetur rrugën e ringritjes, pa përçarje e përjashtime.

 

Statusi i plotë:

Rruga drejt ringritjes kalon përmes bashkimit dhe jo përmes përçarjes e përjashtimit!

Të dashur miq,

Rezultati i këtyre zgjedhjeve është larg atij që ne të gjithë dëshironim dhe prisnim. Pa asnje diskutim qe droga, krimi, pjesëmarrja e administratës në kundërshtim me ligjin, pabarazia e madhe në media ndikuan qartësisht në rezultatin e tyre dhe bënë që këto zgjedhje të mos jenë të lira dhe të ndershme ashtu siç i meritonin shqiptaret.

Të gjitha këto provuan dhe një herë se Edi Rama është armik i egër votës së shqiptareve. Por pavarësisht presioneve, krimit, antiligjit dhe parave të Noriegës, arsyet dhe përgjegjësitë për këtë humbje të thellë të PD-se, si për rezultatin ashtu dhe sfondin e saj ne përputhje me praktikat më të mira të demokracive perëndimore, duhet t’i kërkojmë dhe gjejmë detyrimisht edhe tek vetja jone. Përndryshe na pret një e ardhme e pasigurt!

Këto ditë në media ka shpërthyer një polemike e natyrshme lidhur me humbjen tonë në këto zgjedhje dhe shkaqet e saj. Drejtues, por dhe anëtarë të thjeshtë të PD kanë kërkuar dorëheqjen e kryetarit, i cili padyshim është përgjegjësi me kryesor, por natyrisht jo i vetëm për këtë humbje.

Nga ana tjetër, kryetari i PD ka njohur përgjegjësinë e tij personale kryesore për këtë humbje. Statuti i partisë parashikon hapjen e procesit te zgjedhjes se kryetarit të partisë, dhe ky i fundit ka deklaruar se do të ngrijë funksionet e tij si kryetar partie për kohen e procesit të zgjedhjes se kryetarit, për të mos ndikuar në këtë proces.

Unë mendoj se mënyra më e mirë për të evidentuar shkaqet, për të përcaktuar përgjegjësitë e humbjes, është t’i japim zë dhe mundësi të gjithë strukturave dhe anetarësisë së PD për të thënë fjalën e tyre lirshëm dhe me përgjegjësi në analizën dhe ndryshimin e thellë që nevojitet për të dalë prej saj dhe ringritur përsëri fuqishëm Partinë Demokratike.

Është e domosdoshme të kuptojmë arsyet përse kutive të votimit u mungoi vota e 200 mijë qytetareve që kanë votuar PD në zgjedhjet e kaluara dhe pse pas katër vitesh, në jo vetëm mbetemi opozitë, por marrim këtë rezultat.

Mendoj se ne, në këto rrethana, pavarësisht nga emocionet, kundërshtitë e pashmangshme për situata si kjo, rendësi vendimtare ka që PD t’u mundësoje të gjithë anëtareve të saj një proces të drejtë, të ndershëm, te barabartë dhe të pandikuar nga askush për të zgjedhur lidershipin që ata mendojnë dhe gjykojnë se mund t’i çoje si një opozitë e fuqishme drejt fitores, sa më shpejt, të mendjeve dhe zemrave të shqiptarëve.

Gjykoj se është detyrim ligjor dhe moral i çdo anëtari apo drejtuesi te PD, te kontribuoje ne integritetin, transparencën, besueshmërinë e këtij procesi në luajalitet të plotë të vlerave dhe rregullave demokratike që ndajmë njeri me tjetrin!

Rruga e ringritjes nuk është kurrë e lehtë, ajo kalon përmes BASHKIMIT dhe jo përmes PERÇARJES as dhe PERJASHTIMIT.

Por unë kam bindjen më të thellë se ne kemi vullnetin e hekurt, që të bashkuar ta kryejmë me sukses të plotë ringritjen e fuqishme të Partisë Demokratike që presin sot me padurim anëtaret, mbështetësit tanë, pret e djathta shqiptare dhe miqtë tanë në mbarë Europen dhe botën.

Prandaj dhe ju ftoj te dashur miq, duke shprehur një falënderim dhe mirënjohje të pakufishme ndaj të gjithë atyre qe votuan PD, le te angazhohemi ne me të gjithë energjitë tona në këtë mision jetik për PD, për Shqipërinë dhe demokracinë e saj! sb

/tvklan.al