Kur ka nisur heshtja zgjedhore dhe kanë ngelur pak orë nga nisja e procesit zgjedhor, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve akuzon partitë politike, pjesëmarrëse në zgjedhjet e pjesshme lokale në Dibër se po bëhen pengesë për përgatitjen e infrastrukturës zgjedhore në këtë qark.

Zëdhënësja e këtij institucioni përmes një deklarate ngriti shqetësimin për ecurinë e shpërndarjes së bazës materiale zgjedhore nga KZAZ , pasi sipas saj, shpërndarja e bazës materiale po ecën me ritme shumë të ngadalta.

Deri tani është shpërndare baza materiale zgjedhore vetëm për 17 Qendra Votimi nga 118 në total. Deri tani asnjë nga Komisionerët e KQV-ve të njësive administrative të Maqellarës dhe Peshkopisë nuk është paraqitur për të marrë në dorëzim bazën materiale zgjedhore. Afati përfundimtar i dorëzimit të bazës materiale nga KZAZ për çdo QV i përcaktuar në nenin 100 të Kodit Zgjedhor, është jo me vonë se 15 orë para hapjes se votimit duke marrë në konsiderate dhe zonat e largëta ky afat kohor nuk arrin të respektohet “.

Fajtor KQZ bën partitë politike që nuk i kanë dërguar komisionarët e tyre për të marrë në dorëzim materialet zgjedhore. Ndërkohë që gjatë paradites forcat politike kanë kërkuar ndryshimi e anëtarësisë së 116 Komisioneve të Qendrave të Votimit nga 118 KQV në total.

Në mbrëmje KQZ  informoi se e gjithë baza materiale zgjedhore u mor në dorëzim nga Komisionet e Qendrave të Votimit pranë KZAZ-së, nr. 19, Dibër.

Procesi i votimit do të fillojë në orën 07:00 të ditës së diel dhe do të mbyllet në orën 18:00.

Edhe policia thotë se është në gatishmëri të plotë për të përmbushur misionin e saj për garantimin e rendit dhe të sigurisë publike në të gjithë rrethin, me qëllim krijimin e një mjedisi sa më të sigurt, në funksion të garantimit të një procesi të qetë zgjedhor. /TV KLAN