Një ditë pas denoncimit të bërë nga kryetari i Partisë Demokratike se zgjedhjet në Bashkinë e Dibrës u blenë nga karteli i drogës, deputeti Oerd Bylykbashi i bëri thirrje prokurorisë të hetojë rastet e denoncuara në media për blerje votash.

Bylykbashi tha se pjesë e kësaj skeme kanë qenë funksionarë të lartë të Bashkisë, këshilltarë të majtë dhe vëllezërit e kandidatit të shpallur fitues, Muharrem Rama.

Deputeti Oerd Bylykbashi:

Ne i bëjmë thirrje prokurorisë të lëvizë, të hetojë e të marrë në përgjegjësi penale, për rastet e njohura deri tani, të bëra publike në media dhe nga qytetarët. Duke nisur nga drejtuesit politikë të fushatës në bashkëpunim me figurat e njohura të krimit të organizuar drejtorë të administratës qendrore dhe lokale, shefa policie, administratorë, kryepleqtë, dhe zyrtarë publikë, ky grup i strukturuar kriminal ka ndarë milionat që duheshin, njerëzit që do të kryenin operacionin, duke llogaritur e paracaktuar blerjen e votave sipas çdo qendre votimi.

Bylykbashi u shpreh se, rastet e denoncuara faktojnë mekanizmin kriminal të blerjes së votave në Dibër, që sipas tij dëshmojnë për një skemë të mirëorganizuar. Për të gjitha rastet e konstatuara në terren opozita tha Bylykbashi po përgatit një raport të detajuar.

Deputeti Oerd Bylykbashi:

Partia Demokratike po përgatit raportin e plotë e të detajuar të rasteve te evidentuara që janë vetëm indiciet e kësaj masakre me votën në Dibër”.

Sipas demokratëve zgjedhjet në Dibër duhet të shërbejnë si një reflektim i thellë kombëtar dhe për një veprim të përbashkët për lirinë e votës./ TV KLAN