Edhe Ambasada e Shteteve të Bashkuara ka reaguar pas vendimit të Kryeministrit Edi Rama, për tërheqjen e kandidatit socialist nga zgjedhjet për kryetar bashkie në Kavajë.

Në një deklaratë të postuar në rrjetet sociale, kjo Ambasadë thotë se e mbështet këtë vendim dhe shprehet ai do të mundësojë që qeveria dhe opozita të përqendrohen tek procesi i dialogut.

“Ambasada e Shteteve të Bashkuara mbështet thirrjen e Kryeministrit për shtyrjen e zgjedhjeve bashkiake në Kavajë me qëllim që të ruhet përqendrimi i qeverisë dhe opozitës tek procesi i dialogut. Nxisim vazhdimin dhe përshpejtimin e procesit të dialogut sepse koha që mbetet për t’i zgjidhur çështjet me anë të negociatave përpara zgjedhjeve të 18 qershorit është e kufizuar”.

Më tej, në deklaratë thuhet se ambasada e SHBA mbështet të drejtën e shqiptarëve për të protestuar paqësisht, ndërsa i bën thirrje të gjitha partive që të mos angazhohen në akte që nxisin dhunë. Sipas Ambasadës, dhuna nuk ka vend në procesin demokratik.

“Mbështesim të drejtat e shqiptarëve për të protestuar paqësisht dhe nxisim të gjitha palët që të tregojnë vetëpërmbajtje. Iu bëjmë thirrje të gjitha partive që të mos angazhohen në akte që mund të nxisnin dhunë, veçanërisht akte që ndikojnë në aftësinë e qytetarëve per të marrë pjesë në zgjedhje dhe për të ushtruar të drejtën e tyre për të votuar. Dhuna nuk ka vend në procesin demokratik”./tvklan.al