Menjëherë pas përfundimit të mbledhjes së kryesisë të Lëvizjes Socialiste për Integrim, në një dalje për mediat, sekretari i përgjithshëm i kësaj partie, Luan Rama deklaroi se kreu aktual i LSI, Ilir Meta konfirmoi kandidaturën e tij për kryetar.

Një tjetër kandidaturë e konfirmuar tashmë është edhe Shezai Rrokaj.

Rama bëri gjithashtu të ditur datën e zgjedhjeve, ndërsa tha se në mbledhje u diskutua mbi organizimin dhe modalitetet për zhvillimin e fushatës për zgjedhjen e kryetarit të LSI.

“Në këtë mbledhje u vendos që zgjedhjet për kreun e LSI  në të gjithë Shqipërinë të mbahen të dielën e 6 Nëntorit 2016. Mbledhja rikonfirmoi edhe njëherë që këto zgjedhje do të zhvillohen me pjesëmarrjen e të gjithë anëtarëve të kësaj partie dhe me parimin 1 anëtar 1 votë”.

Ndërkohë Kryesia e LSI vendosi që afati për të regjistruar kandidaturën të jetë deri më 30 shtator.

Pas mbledhjes, kandidati Rrokaj tha se platforma e tij synon një parti më të hapur ndaj shoqërisë civile dhe larg militantizmit. /tvklan.al