Në një dalje për medit, specialistja për Komunikimin me Median në Policinë e Shtetit, Alda Prela njoftoi masat e marra për garantimin e rendit dhe sigurisë gjatë zgjedhjeve. 

Policia tha gjithashtu se janë marrë masa për garantimin e rendit dhe sigurisë publike para, gjatë dhe pas zhvillimit të aktiviteteve zgjedhore të partive politike.

*Më poshtë gjeni deklaratën e plotë

Strukturat qendrore dhe vendore të Policisë së Shtetit në zbatim të detyrave të përcaktuara në aktet ligjore dhe nënligjore :

Ligjin Nr. 10019 datë 29.12.2008 “Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar.

Ligji nr. 108/2014 “Për Policinë e Shtetit”, i ndryshuar.

Udhëzimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve me Nr. 7 datë 23.03.2009, i ndryshuar, lidhur me detyrimet që Policia e Shtetit ka për zgjedhjet në Kuvendin e Shqipërisë, në datën 25.06.2017;

Programin e Punës të Drejtorisë së Policisë së Shtetit me Nr. 235 datë 22.02.2017 “Për detyrat e Policisë së Shtetit për zgjedhjet e Kuvendit të Shqipërisë, 25 Qershor 2017”;

Urdhrin e Kryeministrit, nr. 65, datë 12.5.2017 “Për marrjen e masave për ndalimin e vënies në përdorim për subjektet zgjedhore të mjeteve, fondeve dhe materialeve të ndryshme, pronë e administratës publike, si dhe të burimeve njerëzore të institucioneve të administratës publike, të çdo niveli, për zgjedhjen e Kuvendit, të datës 25 qershor 2017”.

Kanë marrë të gjitha masat për garantimin e rendit dhe sigurisë publike në mbarëvajtjen e zhvillimit të gjithë procesit zgjedhor për Kuvendin e Shqipërisë dhe ato për Kryetar të Bashkisë Kavajë, të datës 25 Qershor 2017.

Në fazën paraprake/përgatitore janë marrë masa për hartimin e Programit të Punës të Policisë së Shtetit; caktimin e koordinatorëve e të policisë me KQZ-në dhe partnerët ndërkombëtarë; hartimi dhe prodhimi i librit të xhepit të punonjësit të policisë lidhur me detyrat që do të kryejnë gjatë procesit zgjedhor; trajnimi i 7047 punonjësve të policisë të strukturave të rendit publik, policisë rrugore dhe Kufirit e Migracionit që do të angazhohen me kryerjen e detyrave zgjedhore; ngritja dhe funksionimi i grupeve të drejtimit e koordinimit në strukturat qendrore dhe ato vendore të policisë.

Trajnimi i drejtuesve të strukturave qendrore dhe atyre vendore të policisë si dhe i trajnerëve është realizuar me mbështetjen e ekspertëve të KQZ-së, Prokurorisë së Përgjithshme dhe OSBE-së.

Nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit janë realizuar takime me personelin policor të strukturave vendore duke ju bërë të qartë dhe tërhequr vëmendjen që: “Punonjësit e policisë të kryejnë detyrat dhe përgjegjësitë në mënyrë të barabartë dhe paanshmëri politike, pa diskriminim dhe vetëm në bazë dhe për zbatim të ligjit duke respektuar liritë dhe të drejtat themelore e kushtetuese të njeriut.

Lidhur me fazën e dytë atë të fushatës zgjedhore e cila ligjërisht ka filluar më datën 26.05.2017 janë marrë masa për garantimin e rendit dhe sigurisë publike para, gjatë dhe pas zhvillimit të aktiviteteve zgjedhore të subjekteve politike për të garantuar ushtrimin e të drejtave nga subjektet politike dhe pjesëmarrësit në këto aktivitete.

Drejtues të strukturave vendore të policisë po bashkëpunojnë me drejtues lokalë të subjekteve zgjedhore për shkëmbimin e informacioneve për kalendarin e zhvillimit të aktiviteteve dhe marrjen e detyrimeve sipas përcaktimeve të bëra në Ligjin nr. 8773, datë 23.04.2001 “Për Tubimet”.

Është vendosur bashkëpunimi me njësitë e qeverisjes vendore dhe Policinë Bashkiake për të zbatuar kërkesat e parashikuara në nenin 79 të Kodit Zgjedhor, mbështetjen e Policisë Bashkiake në raste të pengimit apo kundërshtimit të tyre në kryerjen e detyrave ligjore të përcaktuara në Kodin Zgjedhor lidhur me heqjen e materialeve propagandistike të afishuara jashtë vendeve të përcaktuara nga Kryetari i Njësisë së Qeverisjes Vendore (sipas nenit 79 të Kodit Zgjedhor).

Policia e Shtetit Ju bën thirrje të gjithë drejtuesve të subjekteve zgjedhore dhe komunitetit që për çdo qëndrim e sjellje jo korrekte dhe jo ligjore të kryera nga punonjësit e policisë, ti denoncojnë ato menjëherë, duke ju garantuar trajtimin dhe marrjen e masave të rrepta ndaj punonjësve të policisë përgjegjës.

Policia e Shtetit garanton gjithë subjektet politike dhe zgjedhore, qytetarët dhe partnerët që asistojnë Policinë e Shtetit se Policia e Shtetit do të kryejë me profesionalizëm dhe paanshmëri detyrat dhe përgjegjësitë që i ngarkon ligji./

tvklan.al