Në seancën e parë në Parlament, pas rikthimit nga bojkoti tre mujor, opozita ka propozuar tre anëtarët për komisionin Ad – Hoc të Vettingut duke zhbllokuar punën në Reformën në Drejtësi, kusht kryesor i Brukselit për hapjen e negociata për anëtarësim.

Komisionet e vettingut tashmë janë të gatshme të nisin punën pas votimit me 123 vota pro në parlament.

Në komisionin Ad- Hoc prej 6 anëtarësh nga opozita do të jenë nënkryetari i Komisionit të Reformës në Drejtësi, Oerd Bylykbashi, Flamur Noka e republikani Famir Mediu. Mazhoranca ka votuar si anëtarë të saj Vasilika Hysin, Ulsi Manjen e Luan Ramën.

Në komisionin e dytë prej 6 anëtarësh që do të bëjnë përzgjedhjen e kandidatëve për Vetingun demokratët do të përfaqësohen nga Eduart Halimi, Flamur Noka dhe Albana Vokshi.

Ndërsa anëtarët e opozitës në komisionin  12 anëtarësh janë deputetët Bylykbashi, Gent Strazimiri, Jorida Tabaku, Fatmir Mediu dhe Dhurata Çupi.

Maxhoranca e ka përmbyllur fazën e kandidatëve të saj në këto 3 komisione që në muajin prill, kohë kur opozita protestonte në bulevard.

Me ngritjen e komisioneve pritet edhe nisja e zbatimit te ligjit të Vettingut dhe Reformës në Drejtësi, si kushti kryesor i vendosur nga Brukseli për hapjen e negociatave për anëtarësim.

Në të njëjtën seancë plenare,  kuvendi  votoi po ashtu kryetarin e ri të KQZ-së, Klement Zgurin dhe avokatin e popullit Erinda Ballanca.

Zguri u zgjodh në krye të KQZ-së me 117 vota pro dhe dy kundër.

Ndërsa Erinda Ballanca u zgjodh Avokate e Popullit me 112 pro, 4 kundër dhe 10 abstenim.

Parlamenti, po ashtu votoi me 118 vota pro ndryshimet në lidhin për “Partitë politike” dhe 112 vota pro ligjin për “mediat”. /tvklan.al