Adea Shabani, një studente për aktrim nga Maqedonia është zhdukur në mënyrë misterioze në Los Angeles, të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Familjarët dhe miqtë e 25-vjeçares nuk kanë dëgjuar asgjë për të që prej ditës së premte. Sipas asaj që shkruan amerikania ABC7, dera e apartamentit të Shabanit u gjet e hapur, që të bën të mendosh se do të kthehej shpejt.

Studentja nga Shkupi ndodhej në Los Angeles prej 2 vitesh, ku kishte shkuar për të ndjekur pasionin e saj për aktrimin.

Miqtë e 25-vjeçares u alarmuan kur ajo mungoi në Akademinë e Aktrimit Stella Adler dhe ndaloi papritur së qeni aktive në rrjetet sociale.

Sipas njerëzve të saj të dashur, mesazhi i fundit që Shabani kishte dërguar ishte ishte për qirinj të kuq, por pa dhënë detaje se ku ndodhej.

Ndërkohë miqtë kanë dalë nëpër rrugë duke shpërndarë fletushka me fotografinë dhe të dhënat e saj. Ndërsa policia e Los Angeles tha se e reja ishte parë në bllokun 1700 të Willcox Avenue, në Hollivud, rreth orës 11 më 23 Shkurt, jo shumë larg nga vendi ku banonte.

Një prej mikeshave të 25-vjeçares, duke folur për mediat amerikane u shpreh se nuk është në tipin e saj që të zhduket në mënyrë të tillë.

“Diçka po ndodh me të, nuk e dimë ku është. Shpresoj që të jetë gjallë”.

Nëna e Shabanit, e cila udhëtoi nga Maqedonia drejt SHBA, mësohet se ka punësuar një detektiv privat, me shpresën për të gjetur vajzën.

/tvklan.al