Për veprën penale të “Shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor ”, policia ka arrestuar Skënder Jonuzajn, shofer i autobusit që u përfshi nga flakët mesditën e së premtes në Krujë.

Në autobusin ku udhëtonin 30 besimtare të Kishës Ortodokse të “Shën Theodhorit” në Vlorë, humbi jetën 65-vjeçarja, Violeta Gjika dhe u plagosën rëndë 11 të tjerë.

Autobusi, që ishte në pronësi të Jonuzajt, shfaqi probleme teksa ngjitej për në Krujë, qytet i cili ishte pjesë e guidës turistikë të grupit prej 30 personash.

Burime nga grupi hetimor i thanë televizionit Klan se: “Zjarri mund të jetë shkaktuar nga  probleme teknike e elektrike të motorit dhe rritjes së temperaturës”.

Zjarri është përhapur gradualisht në pjesën e motorit dhe përzierja e dioksidit të karbonit me ajrin e kondicionuar ka trullosur pasagjerët dhe shoferin, i cili nuk ka konstatuar rritjen e temperaturës në mjet.

Me hapjen e pjesës së motorit  dhe kontaktit të menjëhershëm me oksigjenin zjarri u përhap me shpejtësi në përmasa të mëdha, duke sjellë më pas edhe lëndimin e pasagjerëve. Akti i ekspertimit teknik për udhëtimet ishte kryer në 24 dhjetor të vitit 2015, ndërsa kolaudimi i skadonte në qershor të këtij viti. / TV KLAN