Një ditë pas ngjarjes së rëndë, ku një 30 – vjeçare humbi jetën nga zjarri i rënë në ashensor, Inspektorati Shtetëror Teknik dhe Industrial ka nxjerrë shkaqet. Sipas këtij Inspektorati, shkak u bë instalimi i depozitës së vajit brenda kafazit të ashensorit hidraulik, i shoqëruar nga moseleminimi i rrjedhjeve të vajit, mospastrimi i vajit të rrjedhur dhe i papastërtive në fundin e kafazit të ashensorit. Nga kontrolli i rrjetit elektrik tek dy box-et kolektive rezultoi se nuk kishte asnjë rënie automati monofazor, që i përkiste familjarëve.

Edhe OSHEE thotë se nuk është bërë shkak shkëndija elektrike për zjarrin. Sipas banorëve shpesh herë ka ndodhur që të bllokohet ashensori, por një rast si ai djeshmi është hera e parë që ndodh.

Ndërsa Inxhinierët ngrejnë si shqetësim mirëmbajtjen e këtyre pajisjeve levizëse nga banorët e pallateve. Sipas tyre, të gjithë ashensorët të instaluar pas 1995 janë të pajisur me bateritë, të cilat funksionojnë në rastin e një problem teknik apo ndërprerje energjie për të hapur dyert automatikisht.

Për inxhinierët, të gjithë objektet me ashensor janë sipas standardeve, por u takon banorëve dhe administratorëve të ashensorit që t’i mirëmbajnë ato.

Tv Klan