Preç Zogaj një ndër kandidatët e Partisë Demokratike për qarkun e Lezhës në zgjedhjet e 25 Qershorit e sheh mendimin ndryshe si një vlerë të shtuar, ndaj dhe i sugjeron Lulzim Bashës të reflektojë me akte përtej ftesave drejtuar kritikëve.

“Duhen trajtuar si vlerë sepse duhet dialog me kritikët, është më mirë ti kesh se mos t’i kesh,  sepse e thotë edhe Skruton që është ideolog i partive konservatore të djathta, që një identitet politik përforcohet nga mosdakordësitë. Kritikët duhen trajtuar me akte, lidershipi reflekton me akte”.

Dalja nga situata në të cilën ndodhet Partia Demokratike, Zogaj thotë se duhet të kalojë përmes ligjësisë së rregullave dhe garës së barabartë për të gjithë.

“Ata duhet të përfshihen në garë, nëse partia u krijon kushtet që të garojnë. Rregulli na afron, rregullat e lojës na mbajnë të bashkuar. Ajo që i zëvendëson të gjitha ftesat është krijimi i një sistemi të ruajtjes së karrierave dhe e dyta krijimi i një sistemi rregullash loje që mundësojnë gjithsecilit nga politikani që ka 27 vjet deri tek me i riu për tu provuar, për të bërë karrierë përmes votës, garës. Partia nuk është me trokit në derën e kryetarit, por është sistem rregullash, po ka rregulla konkurrencë e garë të ndershme, ajo i përmbush të gjitha”.

Por sa e mundëson ringritjen dhe reformimin e Partisë Demokratike thirrja e Kuvendit Kombëtar në fund të Prillit?

“Duket sikur po shkohet drejt një kongresi rutinor që nuk e përjeton vlimin e kësaj partie pas zgjedhjeve të vitit të kaluar”.

Përballë një maxhorance që i ka ndezur motorët e përgatitjes për betejën elektorale të radhës, Zogaj thotë se sheh një opozitë të vonuar.

“PD dhe opozita është e vonuar për zgjedhjet e ardhshme lokale në raport me PS. PD duhet të reflektoje nga përvoja e vitit 2017 ku u përplas me zgjedhjet, datën, që i bëri të gjitha me nxitim të madh, nuk pati kohe te konsultonte mendimin e anëtarësisë për listat”

Zogaj sheh si urgjente pasjen e sondazheve reale nga ana e Partisë Demokratike, të cilat ai thotë përveçse do të skanojnë gjendjen në të cilën ajo ndodhet, njëherazi do t’i mundësojë Lulzim Bashës edhe korrigjimin e gabimeve.

Tv Klan