Në konferencën e parë për shtyp pas zgjedhjeve të 25 qershorit dhe pas Samitit të Triestes për Ballkanin Perëndimor, Kryeministri Edi Rama u shpreh se fokusi i vazhdimit të procesit të Berlinit për vendet e rajonit ka qenë krijimi i një zone ekonomike rajonale.

Duke folur nga Kryeministria, Rama hodhi poshtë edhe lajmet e mediave gjermane që me këtë nismë synohet rikthimi i ish-Jugosllavisë.

Këto lajme që u pasqyruan edhe në disa media shqiptare, shefi i qeverisë i quajti broçkulla.

“Dua të nënvizoj një hap të hedhur në këtë Samit për organizimin e tregut të përbashkët rajonal. Projekti është thelbësisht një projekt evropian. Nuk përbën një zgjidhje alternative, por përbën një përpjekje komplementare me atë të integrimit të vendeve tona dhe të BE, dhe nuk ka broçkull më të madhe për t’u evidentuar si kulmi i marrëzisë si broçkulla e krijimit të ish-Jugosllavisë”,

tha Kryeministri Rama.

Ndërkohë, drejtoresha e departamentit në Kryeministri, Majlinda Duka bëri me dije se nga Samiti i Triestes që është vazhdim i procesit të Berlinit, Shqipëria paraqiti 4 projekte dhe mori 3.35 milionë Euro.

“Shqipëria në procesin e Berlinit është një nga vendet më aktive. Në tryezën e fundit, Shqipëria zuri vendin e parë me mbi 3 milionë Euro”

, tha Duka. /

tvklan.al