Artisti dhe drejtuesi i emisionit “Xing me Ermalin”, Ermal Mamaqi ka qenë i ftuar këtë mbrëmje në emisionin “Zonë e Lirë” të Arian Çanit, në Televizionin Klan. Në një rrëfim për herë të parë në këtë emision, Mamaqi ka treguar për fëmijërinë dhe vështirësitë që ka kaluar, si nis dita dhe kush e zgjon atë. Ai është një nga personazhet më të dashur për shikuesit dhe këtë herë nuk ka nguruar të tregojë detaje që ishin të pathëna.

Por kush është Ermal Mamaqi, përtej ekranit që ne jemi mësuar ta shohim? Si ka qenë fëmijëria e tij dhe çfarë sakrificash i është dashur të bëjë në moshë të vogël?

Ermal Mamqi është 34 – vjeç, ka lindur në Tiranë, nga dy prindër që quhen Luljeta dhe Drini, si dhe ka një vëlla që quhet Ermir. Babai ka punuar si mercolog dhe mamaja ekonomiste, ndërsa vëllai punon si ekonomist, por edhe si Dj. Është rritur nga gjyshja, nëna e babit,

“e cila çdo ditë pinte nga një gotë verë”,

tregon ai duke qeshur.

Zgjohet në 08:00 të mëngjesit nga djali i tij Joel. E fillon ditën tek “Ami Event” dhe më pas vjen në Televizionin Klan dhe shikon skenaret e emisionit “Xing me Ermalin” dhe në fund i thotë Amardës që të mos e verë djalin në gjumë, pasi dëshiron ta takojë.

I pyetur nga drejtuesi i emisionit “Zonë e Lirë”, se kujt nga prindërit i ka ngjarë që bën kaq shumë humor, ai përgjigjet se e qeshura është genetike nga babai dhe gjyshi i tij, ndërsa nënës i ka ngjarë sa i përket të bërit biznes dhe ambicieve.

Drama e parë për Ermalin ka qenë ku i vodhën tullën, të cilën në kohën që ishte fëmijë e kishte si një makinë me të cilën luante në dhe.

Cila është sakrifica që i është dashur të bëntë në moshë të vogël?

Gjatë rrëfimi të tij, ai tregon se ka kaluar kohë të vështira, pasi familja nuk kishte shumë mundësi ekonomike dhe kishte shumë borxhe. Pas largimit të mamasë nga puna, Ermalit i është dashur të dalë në rrugë dhe të shesë paketa, fasoleta në një kuti kartoni dhe më pas pako me kafe.

“Kam qenë 12 vjeç, kur fillova të dilja të shisja cigare në rrugë gjatë gjithë ditës në periudhën e verës, afër një dyqani mishi. Ndonjëherë vinte dhe vëllai për të më ndihmuar. Kam pasur dëshirë që në moshë të vogël për të qenë i pavarur. Motivimi fillestar që kam pasur në jetë ka qenë për të ndihmuar familje dhe për të larë borxhet. Jeta ka qenë e vështirë shumë atëherë, edhe pse dhe sot ka ende shumë familje që vuajnë. Ajo që më motivoi më shumë ka qenë ndihma për familjen. Unë u edukova me këtë frymë dhe njeriu duhet të jetë i mirë për familjen e vet”.

Cani

I pyetur nga Çani nëse i ndihmon akoma prindërit, ai përgjigjet se familjen dhe vëllain do ta ndihmojë gjithmonë, sa herë ata të kenë nevojë.

Gjithashtu, një tjetër vështirësi ka qenë dhe fjetja në kuzhinë për 13 vite më radhë.

“18 vite të jetës sime kam fjetur në kuzhinë. Ne kishim dy dhoma gjumi dhe një kuzhinë. Tek një dhomë gjumi flinin prindërit, tek tjera gjyshja, ndërsa tek (kuzhina), flija unë dhe vëllai dhe çdo ditë hapja dhe mbylla divanin”.

Por, përtej këtij rrëfimi, i cili ka qenë i vështirë, Ermali di shumë mirë të ndërthurë situatën dhe me momente gazmore. Ai ka ndarë një nga momentet e fejesë së tij duke rrëfyer një situatë komike, por edhe të sikletshme për Amardën, bashkëshorten e tij dhe familjen e saj.

“Kur u lidha me Amardën dhe shkuam për vizitë për herë të parë tek familja e saj, së bashku me prindërit dhe vëllain, babai im nuk rrinte dot pa bërë humor. Pasi na japin qerasjet dhe Amarda merr shampanjën për ta hapur, kur ja këput babai, “Amarda mos e hap shampanjën”. Të gjithë ngelën dhe më pas pyet Ami, pse? Babai thotë, “nuk po shikoj gotat këtu”.

Por, Ermali është gjithashtu dhe një besimtar protestant. Ai shkon pothuajse çdo të diel pasdite në kishë. Ai ka një besim të thellë në ekzistencën e Zotit, që sipas tij, na mban gjallë dhe na pret.

“Asgjë nuk ndodh pa asnjë arsye. Rastësia nuk ekziston, madje as ky moment që po ndodh tani në studio. Janë shumë gjëra që ne nuk i kuptojmë dot”, shprehet ai./tvklan.al