Paraditen e kësaj të enjte në protokollin e kryeministrisë u dorëzuan dorëheqjet e 6 ministrave dhe zv/kryeministres teknike të firmosura një ditë më parë nga vetë ata.

Karrigen e tyre duket se do të mbeten bosh deri në formimin e qeverisë së re, kur kompetencat e tyre do të ushtrohen nga zv/ministrat.

Në bazë të dokumentit që prodhoi marrëveshja e 18 majit, ata duhet të qëndronin në detyrë vetëm për të monitoruar procesin zgjedhor. Por pavarësisht humbjes në zgjedhje të demokrateve dhe përfundimit të “kontratës” së bashkëqeverisjes ministrat teknike të Lulzim Bashës qëndruan në poltronat ministrore për 3 muaj me argumentin se ishin duke përpiluar raportin për ecurinë e procesit të zgjedhjeve të 25 qershorit.

Situata paradoksale kur vendin e bashkëqeverisnin 3 parti, 2 prej te cilave kaluan në opozitë pas zgjedhjeve u kontestua nga shumë zëra brenda të djathtës, por dhe vetë Partisë Demokratike.

Ndërkohë dorëheqjet e ministrave teknikë duket se nuk do të pasohen nga 4 ministrat e LSI, pasi burime brenda kësaj partie thonë se qëndrimi i përfaqësueseve të saj në qeveri është një akt burokratik deri në betimin e qeverisë së re, ndaj nuk do të ndërmarrin aktin formal të dorëheqjes.

Ajo çka pritet të shihet në shtator kur do të nisë dhe sezoni i ri politik është zbatimi ose jo i paktit mes Ramës dhe Bashës për ndërhyrje në kushtetutë dhe në kodin elektoral./Tv Klan