Pas thuajse 3 muajsh ngërçi politik që prodhuan zgjedhjet parlamentare në Kosovë, koalicioni fitues PDK-AAK-Nisma, lidhi zyrtarisht marrëveshje me AKR-në e Behgjet Pacollit, duke i hapur rrugë kësisoj formimit të shumicës parlamentare dhe qeverisë së re me kryeministër Ramush Haradinaj.

Sipas mediave, nënshkrimi i marrëveshjes me AKR-në do t’i mundësojë koalicionit PAN shumicën prej të paktën 63 deputetësh. Koalicioni fitues PAN arriti të marrë nga krahu i tij AKR-në, pasi kjo forcë politike u largua nga aleanca me LDK-në e Isa Mustafës.

“Jam i bindur se do t’i çojmë proceset përpara… kemi shume sfida për t’i tejkalu, jam i bindur se do t’i kalojmë me punë.”

Kandidati për kryeministër i koalicionit PAN, Ramush Haradinaj, tha se më në fund Kosova del nga bllokada.

“Ky bashkim i mundëson Kosovës nisjen, një nisje shumë të nevojshme, është një periudhë jo e lehte përpara, por jemi të vetëdijshëm që mund t’ia dalim.”

Për të bindur Pacollin t’i bashkohet koalicionit, PDK-AAK-NISMA lëshuan Ministrinë e Jashtme, një nga kushtet kryesore që kishte vendosur kreu i AKR-së që me shumë gjasa do të drejtohet nga Behgjet Pacolli. Po ashtu AKR do të ketë edhe Ministrinë e Brendshme dhe atë të Zhvillimit Ekonomik.

Krahas kryeministrit AAK e Ramush Haradinajt do të mbajë edhe 4 ministri, mes tyre atë të Mbrojtjes. PDK, partia më e madhe e koalicionit do të mbajë 5 ministri të rëndësishme, mes tyre atë të integrimit, të Financave dhe Ministrinë e Drejtësisë.

Nismës së Fatmir Limajt iu besua Arsimi, si edhe Ministria Tregtisë e Industrisë dhe ajo e Bujqësisë. Po ashtu edhe Lista Serbe, pjesë e koalicionit PAN, pritet të ketë një portofol ministror./Tv Klan