Ankesa e shoferëve të autoambulancave në spitalin rajonal të Durrësit lidhur me gjobitjen për konsumin e karburantit, e drejtoi emisionin investigativ të Tv Klan, “Stop” drejt Zyrës Teknike. Shefi i Zyrës Teknike, Arben Kaleshaj, thotë se nuk ka dijeni për matjen e konsumit të karburantit. Ndaj, gazetarja kontaktoi një nga anëtarët e komisionit që ka përcaktuar normën e karburantit, një inxhiniere.

Gazetarja: Pyetja që kemi është se si e keni bërë matjen për të dalë në konkluzionet që keni vendosur  në normën 12 litra për një makinë apo për një tjetër 10 apo për njërën 11.5 litra.

Inxhiniere Alma: Atë informacion duhet ta kërkoni zyrtarisht!

Gazetarja: Këtë e dimë, por po pyes drejtpërdrejt si e keni bërë matjen, keni dalë në terren apo nga zyra?

Inxhinierja e institucionit refuzoi të jepte informacion për këtë çështje. Emisioni kontaktoi edhe me një tjetër inxhinier që ka bërë matjet. Edmond Palodhi ia kaloi përgjegjësinë ish-drejtoreshës së spitalit.

Gazetarja: Ju telefonoj sepse dua t’ju pyes në lidhje me një situatë për sa i përket përcaktimit të normës së konsumit të karburantit të autoambulancave në spitalin rajonal të Durrësit. Në informacionin që mora ju keni qenë pjesë e komisionit ku është përcaktuar norma për sa i përket vitit 2019-2020.

Edmond Palodhi: Kam qenë para 3 vjetësh, s’jam mo.

Gazetarja: Po, në 2019-2020 si i keni përcaktuar normat?

Edmond Palodhi: Ah, s’e mbaj mend. Kam qenë pa qef e jam sëmurë. Nuk është aq e thjeshtë, sa me shpjegu në telefon. Unë, dëgjo, se ti je gazetare! Unë e përcaktoj normën në bazë të km nga GPS, ambulancat janë me GPS dhe sasisë së harxhimit të karburantit.

Gazetarja: Po, por në qoftë se autoambulanca qëndron në trafik, do të përdorë kondicionerin, a nuk ndikojnë në konsum?

Edmond Palodhi: Jo nuk ndikojnë, se autoambulanca ka normativë, në katalog 10 litra, jo 16 litra , 3-fishin, n’ daç të rrijë në trafik, n’daç të mos rrijë.

Gazetarja: Ah domethënë ju nuk e llogarisni pjesën nëse do qëndrojë në trafik.

Edmond Palodhi: E llogarisim, si nuk e kemi llogaritur, por tani nuk e di, si kanë qenë. Po faji nuk është as i shoferëve as i imi, është i drejtorisë, që nuk i zbaton atëherë, kur kanë dalur, i mban nja 3 vjet i mban të vdekur dhe pastaj, kur ikën nga posti, i jep për zbatim.

Për këtë problematikë, gazetarja e emisionit “Stop” vuri në dijeni Urgjencën Kombëtare si edhe Fondin e Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor. Emisioni investigativ kërkon unifikimin e mesatares së harxhimit të karburantit duke qenë se automjetet janë të njëjta në të gjithë vendin./tvklan.al