Mbi 1.3 milionë raste me Covid u konfirmuan në 24 orët e fundit në mbarë botën, shumica e të cilave i përkasin variantit Omicron. Numrin më të madh të rasteve të reja e raportuan Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilat konfirmuan mbi 426 mijë infektime.

Autoritetet amerikane kanë dhënë alarmin, pasi përhapja e madhe e Covid është shoqëruar edhe me rritjen e presionit mbi spitale, ku aktualisht janë të shtruar mbi 103 mijë persona. Specialistet e shpjegojnë këtë rritje të madhe rasteve te reja me Covid me grumbullimet e shumta për festat e fundvitit.

Edhe Europa vijon të përballet me një situatë të vështirë, pasi edhe këtë 24 orësh vijuan sërish shifrat e larta të infektimeve. Britania e madhe raportoi mbi 157 mijë raste, ndërsa Spanja 93 mijë.

Gjithsesi ajo që bie në sy deri më tani është fakti se rritja e rasteve të reja nuk është shoqëruar me rritje të fataliteteve. Sipas të dhënave zyrtare në gjithë globin ato ranë në javën e fundit me 5%, krahasuar me një javë më parë.

Tv Klan