Krizat hidrike bëhen shkak për spostimin e rreth 70 milionë njerëzve çdo vit. Kjo shifër është dyfishuar në 50-vjeçarin e fundit, përtej konflikteve të përgjakshme që gjenerojnë, me një rritje të tyre në rreth 150% nga viti 2000 deri më sot.

Në Konferencën Ndërkombëtare për Ujin që u organizua nga UNESCO në Paris, Ministri italian i Mjedisit, Sergio Costa, deklaroi se sëmundja që këput më shumë jetë fëmijësh në mbarë globin aktualisht është uji, mungesa apo ndotja e tij.

Sipas statistikave rezulton se 1.4 milionë njerëz në botë humbin jetën çdo vit pikërisht si pasojë e sëmundjeve që vijnë nga uji i ndotur, ndërkohë që rreth 2 mld banorë të Tokës jetojnë në mungesë të theksuar të tij.

Sot aksesi në ujë të pijshëm është duke u reduktuar si pasojë e rritjes së popullsisë, përdorimit në bujqësi e blegtori, industri, energjetikë dhe zonat kontinentale po bëhen gjithnjë e më të thata si pasojë e ndryshimeve klimatike.

Klan Plus