Presidenti Ilir Meta ka dekretuar të enjten shpalljen e katër ligjeve, që ratifikojnë marrëveshje ndërkombëtare të Republikës së Shqipërisë, lidhur me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Republikën Federale të Gjermanisë.

Konkretisht, Presidenti i Republikës ka shpallur ligjin “Për ratifikimin e traktatit të ekstradimit ndërmjet qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës”; atë “Për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës Federale të Gjermanisë për bashkëpunim financiar 2018, për projektin “Programi për menaxhim të qëndrueshëm dhe miqësor me klimën në sektorin e mbetjeve (DKTI)””; “Për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës Federale të Gjermanisë për bashkëpunim financiar 2019 për projektin “Rehabilitimi i hidrocentralit të Fierzës (DKTI)””, si dhe ka shpallur Ligjin nr. 70/2021 “Për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës Federale të Gjermanisë për bashkëpunim financiar 2018 për projektin “Programi i investimeve për zhvillim të integruar rajonal””.

Firmosja e dekreteve nga ana e Metës vjen një ditë pasi parlamenti vendosi shkarkimin e tij nga posti i kreut të shtetit. Megjithatë fjalën e fundit nëse Meta duhet të lerë ose jo Presidencën e ka Gjykata Kushtetuese. /tvklan.al