OXFAM: Qeveritë të ndryshojnë sistemin që favorizon të pasurit

Të pasurit që përbëjnë 1% të popullsisë globale zotërojnë mbi 2 herë më shumë pasuri se 6.9 miliardë banorët e tjerë të globit.

Është ky konkluzioni i raportit vjetor të OXFAM-it, organizatës ndërkombëtare për ndihmë kundër urisë dhe varfërisë, i publikuar një ditë para nisjes së forumit ekonomik botëror të Davosit.

Shkaktare të thellimit të hendekut mes pakicës së të pasurve dhe shumicës dërrmuese të popullsisë botërore, raporti sheh ligjet që konsiderohen të padrejta që favorizojnë gjithmonë miliarderët.

Në raport thuhet se sistemi ekonomik global u krijon mundësi të pasurve të shumëfishojnë të ardhurat dhe të krijojnë pasuri marramendëse, pa dhënë asnjë kontribut për shoqërinë.

Raporti i OXFAM ve në dukje edhe mangësitë që ka sistemi ekonomik, që në shumicën e vendeve të botës, kryesisht në Afrikë përjashton femrat, duke i vendosur ato në shënjestër të abuzimeve seksuale.

Raporti këshillon qeveritë botërore të parashikojnë taksa më të larta për të pasurit, por edhe shërbime falas për të varfrit, kryesisht në shëndetësi e transport publik.

Tv Klan