Një punonjës i fabrikës së tullave në Maminas ka mbetur i lënduar si pasojë e flakëve të zjarrit. 55-vjeçari me iniciale B.B. është dërguar në spital dhe ndodhet nën kujdesin e mjekëve.

Sipas informacioneve nga bluzat e bardha, mësohet se punonjësi ka pësuar djegie, por gjendja e tij nuk përbën rrezik për jetën, raporton korrenspondentja e Klan News Enkeleda Arapi.

Ndërkohë, i gjithë stafi i fabrikës së tullave është evakuuar në kohë.

Në vendngjarje kanë shkuar 6 forca zjarrfikëse, të cilat janë duke punuar për të vendosur nën kontroll flakët. Zjarri ka përfshirë kryesisht pjesën e magazinës së fabrikës, ku për shkak të materialeve flakët janë përhapur me shpejtësi.

Nga informacionet paraprake mendohet që ngjarja të ketë ndodhur për shkak të një pakujdesie në punë. Megjithatë, vendimi përfundimtar do të jepet nga zjarrfikësit pasi të kenë kryer akt-ekspertizën në këtë fabrikë. /tvklan.al