Nipi i 77-vjeçarit Haxhi Lika tregon sesi u plagos xhaxhai i tij mëngjesin e së premtes në Remas të Lushnjës. I moshuari mori plagë në kokë gjatë një operacioni të RENEA-s për kapjen e dy personave që dyshohet se fshiheshin në banesën e tij.

Policia pretendon se 77-vjeçari nuk iu përgjigj thirrjes për kontroll duke dalë me armë gjahu në dritare.

Në këtë moment forcat RENEA që kishin rrethuar banesën qëlluan në ajër. Më pas u konstatua se Lika kishte marrë një plagë në kokë dhe u dërgua për mjekim në spital ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Bashkëshortja e tij hedh poshtë këtë version të policisë.

Ndërsa nipi i të moshuarit tregon se pas plagosjes së xhaxhait policia hyri brutalisht në banesë. Edhe të afërm e fqinj të familjes Lika flasin për sjellje të dhunshme të forcave të rendit. Policia shoqëroi dy djemtë e 77-vjeçarit dhe thotë se do jetë ekspertiza që do nxjerrë shkaqet dhe rrethanat e plagosjes.

Tv Klan