1 i vdekur dhe 12 të zhdukur nga përmbysja e anijes në SHBA




1 i vdekur dhe 12 të zhdukur nga përmbysja e anijes në SHBA

09:01 15/04/2021

Roja Bregdetare amerikane në Luiziana tha të mërkurën se një trup u gjet, gjashtë njerëz u shpëtuan dhe 12 persona ishin ende të zhdukur pasi një anije tregtare me vinç që kishte 19 persona në bord u përmbys në detet e trazuara nga stuhia në Gjirin e Meksikës.

Në një konferencë shtypi në New Orleans, Komandanti i Rojës Bregdetare Kapiteni Will Watson tha se erërat u raportuan midis 130 dhe 145 km/orë dhe valët ishin mes 2 dhe 3 metra të larta në kohën kur Roja Bregdetare beson se anija u përmbys të martën vonë.

Një zëdhënës i kompanisë që ka në zotërim anijen, kompania e transportit Seacor Marine, konfirmoi se ishte anija-vinç “Seacor Power”. Kapiteni Watson u tha gazetarëve se 19 persona ishin në bordin e anijes kur ajo u largua nga porti të martën.

Roja Bregdetare njoftoi se iu përgjigj një sinjali emergjence me dritë të martën pasdite nga anija, e cila ishte 13 kilometra në jug të Port Fourchon, në skajin jugor të Luizianës. Ajo bëri një transmetim urgjent detar, të cilit iu përgjigjën anije të shumta që gjendeshin në zonë.

Një anije vinç është një anije vetëlëvizëse me një kuvertë të hapur që përdoret për të bartur pajisje të rënda, shpesh për të mbështetur shpimet ose eksplorimet.

Rojet bregdetare thanë se dy prej anijeve të saj mbërritën në vendin e ngjarjes brenda 30 minutash dhe nxorrën dy persona nga uji. Anije të tjera në vendngjarje shpëtuan katër të tjerë.

Shërbimi Kombëtar i Motit tha se një sistem i rrallë me presion të ulët ishte formuar të martën në brigjet e Louisiana, i cili gjeneroi dete jashtëzakonisht të ashpër në zonë./VOA





Të ngjashme