Nuk do të paguajnë tarifën e regjistrimit, si dhe do të përfitojnë një bursë prej 1 mijë dollarësh në vit, të gjithë nxënësit e ekselencës që do të zgjedhin degët e mësuesisë në universitete. Ndërsa për të tjerët, që do të ndjekin këto degë duhet të kenë mesatare mbi 7 për t’u pranuar.

Këto janë kushtet dhe përfitimet që Ministria e Arsimit ka vendosur prej këtij viti akademik për të përmirësuar prurjet e studentëve, që pas studimeve do të jenë mësuesit e ardhshëm. Kryeministri thotë se efektet e këtyre nismave kanë nisur të japin rezultatet e para.

Por jo të gjithë studentët janë të kënaqur nga reformat në arsim të kësaj qeverie. Një prej kësaj kategorie tentoi t’ia shprehte publikisht Kryeministrit pakënaqësinë e saj, në sallën ku zhvillohej aktiviteti, ku u prezantuan nismat e reja.

Megjithëse regjia e ERTV nuk mundësoi pamjet, u dëgjua vetëm zëri i studentes që më pas u nxor nga salla. Vajza ia doli që për pak sekonda të ndërpresë fjalën e Kryeministrit.

Tv Klan