Mbetet i bllokuar Oboti, kalimi me mjete të Ushtrisë

Intensiteti i reshjeve është ulur, por sipërfaqe të mëdha toke në Shkodër janë ende nën ujë. Prefektura e Qarkut raporton për 1 mijë e 893 hektarë tokë të përmbytura. Niveli i lartë i ujit ka bllokuar aksin Shirgj-Darragjat. Situata është përmirësuar në rrugën e Obotit, e cila gjithsesi është e kalueshme vetëm me mjete të larta.

Banorët e këtij fshati thonë se prodhimet bujqësore u janë dëmtuar.

Problematikë mbeten rrjedha e lumit Drin dhe Kir, të cilët në disa vende po gërryejnë tokat bujqësore, e po ashtu liqeni i Shkodrës që ka rritje të nivelit të ujit dhe ndodhet pranë pikës maksimale. Por sipas shefit të Forcave të Armatosura, në repartin e Vaut të Dejës, Ali Mali, situata është nën kontroll.

Në qarkun e Lezhës ndodhen 4300 hektarë tokë nën ujë. Problemi kryesor mbetet rrëshqitja e dheut, sidomos në njësinë e Ungrejt. Për shkak të prezencës së ujit në banesa janë evakuuar 28 familje.

Probleme ka pasur edhe në Divjakë, pasi dalja e Shkumbinit përmbyti mbi 50 ha tokë. Autoritetet u kanë bërë thirrje banorëve që jetojnë përgjatë brigjeve të lumit, të largohen pasi prurjet janë të mëdha.

Si rrjedhojë e shirave në shumë akse rrugore, si në zonën e Kukësit, Dibrës, Burrelit ka patur rrëshqitje të dherave duke krijuar vështirësi në lëvizjen e automjeteve. Këto janë pamjet e rrugës Burrel-Tiranë e cila u bllokua për 5 orë me radhë për shkak të rrëshqitjes së dherave në afërsi të Urës së Ulzës.

Dibra po përballet edhe me ngricat që kanë shkaktuar probleme në disa zona. Ndërsa në Bashkinë e Durrësit situata është përmirësuar ndjeshëm. Tre njësitë administrative Sukth, Katund i Ri dhe Ishëm prej nga u raportua në ditët e para për 400 ha tokë të përmbytur, aktualisht kanë mbetur nën ujë vetëm 100 hektarë.

Tv Klan