Mjekët: Pacientët kanë kosto për ilaçet, injeksionet dhe ekzaminimet

Të kurohesh për Covid-19 nga banesa është shumë e kushtueshme. Kjo recetë e thjeshtë për një qytetar, i cili nuk ka komplikacione të rënda nga koronavirusi, kushton 14 850 Lekë dhe përfshin medikamente për pneumoni dhe vitamina të ndryshme. Kjo recetë është vetëm për 10 ditë.

“Sigurisht që ka kosto. Për të ndjekur një pacient me Covid, do të vlerësohet shkalla e rëndësisë së sëmundjes. Mund të jetë një formë e lehtë, ku terapia mund të jetë thjesht suportive simptomatike dhe vitaminoterapia. Por mund të jetë një formë e moderuar dhe duhet të shoqërohet edhe me përdorimin e preparateve si antibiotikët që padyshim kanë një vlerë monetare”, u shpreh drejtoresha e Qendrës Shëndetësore nr. 3, Bruna Shiroka. 

Përvec medikamenteve, një person i prekur nga Covid duhet të kryejë edhe ekzaminime të tjera, që përfshijnë analizat e gjakut, skanerin e pulmonit dhe injeksionet.

Vetëm analizat e gjakut dhe skaneri i pulmonit kapin vlerën e 25 mijë Lekëve, duke e çuar koston për një person të prekur me Covid dhe me komplikacione të lehta në afro 40 mijë Lekë.

Por një tjetër recetë, e siguruar nga Tv Klan, me një shkallë të rëndë të sëmundjes për shkak të Covid, kap vlerën e afro 25 mijë Lekëve, vetëm për medikamente. Ndërsa për një injeksion, qytetari duhet të paguajë 3 mijë Lekë në të zezë.

Ata që u nënshtrohen injeksioneve, bëjnë 2 në ditë. Për 10 ditë vetëm injeksionet kushtojnë 60 mijë Lekë të reja. Në total, nëse ke prekje të mushkërive, të kurohesh nga Covid duhet të shpenzosh mbi 100 mijë Lekë ose afro 1 mijë Dollarë.

Mjekët thonë se shumë familje nuk kanë mundësi financiare dhe ndiqen klinikisht pranë qendrave shëndetësore.

“Në zonën time ka mbi 14 persona, nga të cilët 4 janë pneumoni Covid. Kemi filluar t’i afrojmë pranë qendrave shëndetësore edhe për të vlerësuar pamjen fizike për t’i realizuar bërjen e injeksioneve, e cila nëkushte të caktuara është domosdoshmërisht e indikuar”, tha mjekja Shiroka.

Në vend numërohen afro 4 mijë raste pozitive me Covid-19. Kryeqyteti mban edhe numrin më të lartë të të infektuarve, i ndjekur nga Durrësi dhe Shkodra.

Tv Klan