Policia publikon foton e 50-vjeçarit Gëzim Saraçi

1 milion lekë të rinj ofron Policia e Shtetit për çdo informacion të saktë që do të çojë në lokalizimin dhe kapjen e Gëzim Saraçit, 50-vjeçarit i cili mëngjesin e kësaj të marte hodhi një granatë dore në zyrën e Kryebashkiakut të Lushnjes, Fatos Tushe, duke lënë të plagosur këtë të fundit, si dhe sekretaren e tij Erisa Qalliu.

Në një njoftim për mediat, policia thotë se autori dyshohet të jetë fshehur në qarkun e Beratit.

“Autori i kësaj ngjarjeje ka mundur të largohet menjëherë pas ngjarjes dhe dyshohet se është fshehur në territorin e qarkut Berat. Me qëllim kapjen sa më shpejt të tij, Policia e Shtetit kërkon bashkëpunimin e qytetarëve dhe vë në dispozicion 1 milion lekë të rinj për çdo informacion të saktë që do çojë në lokalizimin dhe kapjen e autorit. Për çdo informacion sado të vlefshëm, qytetarët të telefonojnë në numrin unik 112 apo të dërgojnë imazhe në Komisariatin Dixhital, si dhe në numrin e celularit 069 41 07 337, duke ju garantuar anonimat të plotë dhe reagim të menjëhershëm të strukturave të Policisë për të kapur dhe vënë para përgjegjësisë ligjore autorin e kësaj ngjarjeje”, thuhet në njoftimin për shtyp të policisë.

Në operacion për kapjen e Saraçit janë angazhuar forcat speciale RENEA, FNSH-ja e Fierit, shërbimet e Komisariatit të Policisë Lushnje dhe të DVP Fier./tvklan.al