Loren Dobi administrator i kompanisë “Al-Dor” dhe Sandrit Koçibelli, Specialist Taksash në Drejtorinë e Borxhit, në Administratën Tatimore, janë shpallur në kërkim. Ndaj tyre gjykata ka caktuar masën e sigurimit personal “arrest në burg në mungesë” duke pranuar kërkesën e prokurorisë.

Në bazë të hetimeve disa mujore rezulton se Dobi dhe Koçibelli, i kanë shkaktuar një dëm buxhetit të shteti në vlerën e rreth 1 milion Eurove nëpërmjet shmangies së detyrimeve tatimore dhe tatim fitimit. 

Në bazë të hetimeve më metoda speciale si përgjimet dhe stimulimet, hetuesit kanë arritur që të mbledhin prova dhe studimi i të dhënave të shoqërive objekt hetimi, rezulton se ato kanë funksionuar si furnizues, ato më pas kanë lëshuar fatura fiktive duke mos kryer asnjë blerje dhe duke mos ushtruar në asnjë moment aktivitet ligjor. Faturat fiktive janë injektuar në mënyrë direkte në shoqëri tregtare që operojnë në fusha të ndryshme.

Sipas prokurorisë dy të dyshuarit në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë konsumuar elementë të veprës penale “Skemë Mashtrimi në lidhje me Tatimin mbi Vlerën e Shtuar” dhe “Bashkëpunimit”. Gjithashtu dyshohet se në këtë skemë kriminale mashtrimi janë të përfshirë edhe persona e subjekte të tjera, si dhe funksionar të administratës shtetërore, për të cilat vazhdojnë hetimet dhe veprimet procedurale për të dokumentuar të gjithë veprimtarinë kriminale.

Klan News