Ka kaluar një muaj nga tërmeti tragjik që goditi vendin tonë, duke shkaktuar një nga fatkeqësitë më të mëdha natyrore.

Ishte ora 03:55 e mëngjesit të datës 26 Nëntor kur toka u lëkund nga një tërmet me magnitudë 6.4 i shkallës Rihter me epiqendër në detin Adriatik pranë brigjeve të Durrësit.

Thumana dhe Durrësi ishin dy zonat më të goditura, ku pati edhe viktima. 51 persona humbën jetën dhe mbi 900 të tjerë u plagosën. Edhe dëmet materiale që la pas tërmeti janë të konsiderueshme. Sipas qeverisë, fatura e plotë e dëmeve pritet të dalë në muajin Janar 2020.

Pas lëkundjeve të fuqishme në orët e para të mëngjesit të 26 Nëntorit, ekipi i gazetarëve të tvklan.al u përqëndrua kryesisht në zonën e Thumanës, aty ku ishin rrëzuar dy pallate.

Momentet e para ishin shokuese edhe për vetë gazetarët. Kudo mbizotëronte një gjendje shoku, ndërkohë që sapo kishte nisur organizimi në terren i strukturave të emergjencës për kërkimin e të mbijetuarve në rrënoja.  

Më poshtë po përcjellim pamje të raportimeve të para nga Thumana, kur kishin kaluar vetëm 60 minuta nga tërmeti i fuqishëm. /tvklan.al

(Kliko mbi foto për të parë videon)