Alergologu Hoxha: Sëmundje që nuk njeh moshë, më të shpeshta te fëmijët, por prekin dhe të rriturit

Mjeku alergolog Mehmet Hoxha thotë se ka një rritje të rasteve të personave që vuajnë nga alergjitë. Studimi i fundit tregon se 1 në 7 persona vuan nga një sëmundje e tillë.

“Ka një rritje të ndjeshme, gati në dyfishim, sidomos të rasteve me rinit alergjik. Në studimin e fundit prevalenca e të sëmurëve me rinit alergjik shkon në 10 deri në 15% e popullatës. Pra është një prevalencë shumë shumë e lartë.”

Veç alergjive gjithë vjetore shqetësim janë dhe alergjitë stinore të cilat shkaktohen nga polenet, madje kjo periudhë është zgjatur për shkak të ndryshimeve të klimës.

“Me ndryshimet klimatike ka një tendencë që ky sezon të afrohet në kohë, pra të mos presë javën e parë të Prilit, por të fillojë që në dy javët e dyta të Marsit dhe të zgjatet në kohë deri në fillim të Korrikut. “

Sipas alergologut Hoxha, sëmundjet alergjike nuk kanë moshë.

“Sëmundjet alergjike kanë një dekurs natyror, kapin çdo moshë. Më të shpeshta janë tek fëmijët, sidomos alergjia nga pluhurat e shtëpisë. Kurse sëmundjet alergjike ushqimore mund të shfaqen në çdo moshë. Sëmundjet si astma bronkiale shfaqen si në moshë të vogël, ashtu edhe të rritur.”

Por, si mund të dallohet një fëmijë i prekur nga viroza dhe një nga alergjia?

“Së pari, të sëmurët tanë nuk kanë temperaturë. Viroza përgjithësisht shoqërohet me temperaturë dhe janë më të shkurtra në kohë. Ndërsa alergjitë tentojnë që të zgjasin në kohë.”

Organizata Botërore e Shëndetësisë prej vitit 2009 sëmundjet alergjike i ka shpallur si një epidemi të shekullit.

Klan News