Një ditë të mirë për të vërtetën, e ka konsideruar Kryeministri Edi Rama vendimin e gjykatës së Apelit për dënimin me një vit burg për shpifje, të deputeti të opozitës Ervin Salianji.

“E vërteta vonoi shumë po më në fund nuk harroi të vinte, e pavarësisht se vendimi i sotëm i gjykatës dhe dënimi i ligjshëm i një politikani të spikatur për veprimtarinë e palodhur dizinformuese deri në formën kriminale të Kallzimit të Rremë, përmes një dosjeje me fabrikime provash e dëshmish të rreme, nuk besoj se do të ndryshojë gjësendi në aktivitetin e kancerit të Shpifjes që helmon përditë e më shumë gjakun e shoqërisë shqiptare, falë edhe kanaleve të panumërta digjitale të dizinformimit, kjo është një ditë e mirë për të vërtetën.”

Sipas Ramës, shpifja e deputeti Salianji ishte një inskenim për të goditur drejtësinë e re, e cila tashmë ka filluar të godasi majtas dhe djathtas.  

“Sot u ushtrua për herë të parë nga gjykatat e vendit e drejta e sanksionuar në ligj për dënimin penal të kategorisë më të neveritshme të Shpifjes, Kallzimit të Rremë, lidhur me një histori që përpara disa vjetësh tronditi mbarë opinionin publik përmes një inskenimi kriminal kundër drejtuesit të procesit të Reformës në Drejtësi dhe vetë Partisë Socialiste, si forca udhëheqëse e asaj reforme që prodhoi armiqësinë e paepur të politikanëve të trembur nga një Drejtësi e Re; e cila ka lindur e po rritet më në fund jashtë duarve të politikës që e kontrolluan drejtësinë qysh prej shpalljes së shtetit të pavarur shqiptar, ku kurrë asnjëherë një individ me pushtet politik nuk u dënua nga një drejtësi e pavarur, deri kur Drejtësia e Re filloi të godasë majtas e djathtas, duke ecur drejt në rrugën e ligjit të barabartë për të gjithë!”

Ndërkohë që socialistët sipas Ramës, kanë hequr dorë nga gjyqet për shpifje ndaj gazetarëve, nuk do të tërhiqen kurrë ndaj shpifësve të veshur me kostume e flamuj partiakë.

“Ne socialistët në qeveri, kemi hequr dorë prej vitesh nga çdo gjyq për shpifje kundër gazetarëve dhe kjo nuk do të ndryshojë për shumë arsye, por nëse dëmet morale e dhimbjet e patregueshme të familjeve tona që vijnë nga aktorë të paskrupullt mediatikë, jemi gati t’i mbajmë në kurriz si kosto të lirisë së të gjithë aktorëve të medias, nuk jemi dhe s’do të jemi kurrë gati të tërhiqemi nga proceset gjyqësore kundër shpifësve të veshur me kostume e flamuj partiakë dhe të armatosur me urrejtjen përçarëse e atdhenxirëse, që prej 34 vjetësh prodhon jashtënxjerrjet më të neveritshme të gojës.”

Në fund të reagimit të tij, Rama shkruan se nuk do ta pranojmë kurrë Mbretërinë paralele të Shpifarakëve si një pasojë fatale të bashkëjetesës në një shtet demokratik.

Klan News