1.9 milionë viktima dhe 89 milionë të infektuar

Më 9 Janar 2020 televizioni shtetëror kinez bëri njoftimin e parë zyrtar se një virus i ri ishte identifikuar në Ëuhan, të provincës Hubei në Kinën qendrore. Në atë kohë u konsiderua një “pneumoni virale nga shkaqe të panjohura” që po infektonte dhjetëra persona i ngjashëm me SARS dhe që u identifikua si koronavirusi i ri.

Nga ajo kohë SARS-CoV-2 ka pushtuar të gjithë botën duke u marrë jetën 1.9 milionë personave dhe ka prekur 89 milionë të tjerë duke shkatërruar jetën normale dhe me pasoja të rënda në ekonominë globale.

Vatra e parë e infektimit ishte tregu i Ëuhan ndërsa origjina e virusit vijon të shkaktojë debate. Kina është akuzuar shpesh se tentoi të mbajë të fshehtë virusin dhe se nëse alarmi do të ishte dhënë më herët përgjigjja do të ishte më e fortë.

Përhapja e Covid-19 ishte e menjëhershme. Në 8 Mars u konfirmuan 2 rastet e para të të infektuarve në Shqipëri. Babë e bir nga Tirana rezultuan pozitivë pas kthimit nga Italia.

Në 11 Mars, OBSH shpalli pandeminë globale duke detyruar botën të ndalej duke u mbyllur në karantinë. 2 ditë më pas Europa u konsiderua epiqendra e pandemisë.

Spitalet në Itali, Spanjë e Francë u gjendën në një nga emergjencat më të mëdha shëndetësore. 1 vit më pas vendi më i goditur nga pandemia janë Shtetet e Bashkuara me 22.4 milionë të infektuar dhe 387 mijë viktima.

Në vend të dytë për jetët e humbura është Brazili me 201 mijë i ndjekur nga India me 150 mijë dhe Meksika me 131 mijë. Në Europë vendin e parë e mban Britania e Madhe me 79 mijë viktima dhe 2.9 milionë të infektuar të ndjekur nga Italia dhe Franca.

Vendi ynë ka deri tani 1 230 viktima dhe 62 378 të infektuar. Ndryshe nga çdo pandemi në një kohë rekord u prodhua edhe vaksina ndaj virusit. Në Dhjetor, Shtetet e Bashkuara injektuan të parët vaksinën e Pfizer/Biontech e cila më pas mori aprovimin edhe të Britanisë së Madhe dhe Europës. Menjëherë u konfirmuan edhe 2 vaksina të tjera.

Tv Klan