Droga kap vlerën e 40 mln eurove, në pranga 10 persona

Këto janë momentet e ndërhyrjes së Policisë për arrestimin e 10 personave që organizuan trafikun e 430 kg kokainë nga Kolumbia në Shqipëri. Operacioni u shtri në Tiranë, Fier dhe Lushnje, ku u kontrolluan edhe 14 ambiente.

Gjithçka dyshohet se ka nisur në Janar të 2022, kur në emër të Zenel Çervanakut, një prej të arrestuarve gjatë këtij operacioni, u hap biznesi privat me subjekt import-eksporti dhe në Maj u porosit ngarkesa e parë me plehra kimik nga Kolumbia, në mesin e të cilëve u gjend edhe kokaina.

Sipas SPAK, nëse droga do hidhej në treg kapte vlerën e 40 milionë eurove. Ndërkohë nga hetimet rezulton që financues ishte shtetasi Nikolin Gjolena, një tjetër i arrestuar.

Prokurori i Posaçëm Adnan Xholi tregoi rrugën e ndjekur nga kontejneri që u nis nga Kolumbia.

“Në muajin Maj 2022 pasi ngarkohet në kontejner, nëpërmjet një anije transporti është nisur për në portin e Pireut/Greqi. dhe ka mbërritur në fillim të Korrikut 2022 e prej andej me anije transporti pas 3 ditësh është dërguar në portin e Barit të Malit të Zi, dhe në territorin shqiptar është transportuar me kamion në muajin Shtator 2022”.

Baza përfundimtare ku do bëhej ndarja lëndës narkotike nga plehu kimik ishte kjo banesë në pronësi të Viktor Çervanakut i cili është drejtor Drejtorie në OSHEE, i cili më herët ka qenë kryetar i komunës Frakull të Madhe.

“Siç e shikoni kjo shtëpi është rrethuar nga 200 metër mur të lartë në lartësinë 2 metra e 10. Madje forcat speciale, mbrëmjen e djeshme e kanë pasur edhe të vështirë të futen në këtë derë. Nëse shikoni ata kanë hipur sipër portës e cila është automatike dhe hapej vetëm nga një pult i komanduar.”

10 masa sigurimi u ekzekutuan nga Policia mes të cilëve anëtarë të tjerë të familjes Çervanaku, ndërkohë në kërkim është edhe një shtetas kolumbian që dyshohet se do bënte ndarjen e kokainës nga plehu. Nga kontrollet në 14 ambiente u gjetën 15 mijë euro, armë zjarri dhe municon luftarak.

Tv Klan