Maqedonia e Veriut shënon 1 vjetorin e anëtarësimit në NATO. Me këtë rast, në një ceremoni që u mbajt në një kazermë të Shkupit, tre aeroplanë ushtarakë të Aleancës fluturuan mbi kryeqytetin e vendit, ndërsa pjesëtarë të ushtrisë së Maqedonisë së Veriut shfaqën pjesë të stërvitjeve para krerëve të institucioneve më të larta shtetërore e diplomatëve të huaj.

Në ceremoni mori pjesë edhe Admirali Robert Burk, i Komandës së forcave të bashkuara në Napoli (të Italisë). Admirali Burk theksoi vendosmërinë dhe guximin si të autoriteteve edhe të ushtrisë, teksa tha se vendi po jep një kontribut të shkëlyer për Aleancën e NATO-s.

Ndërkohë, Ndihmës-Sekretari amerikan i Shtetit, Philip Reeker në një video-mesazh, me këtë rast, nënvizon kontributin e Maqedonisë së Veriut edhe para anëtarësimit në NATO.

“Ju mirëpritët aleatët dhe partnerët e NATO-s për t’u trajnuar në tokën tuaj; Dërguat ushtarë për të mbështetur operacionet e NATO-s që nga viti 2002 dhe po përmbushni përkushtimin lidhur me shpenzimet në fushën e mbrojtjes”, thekson zyrtari i lartë amerikan. “Tani që Maqedonia e Veriut e ka vendin në tryezën si anëtare e Aleancës më të fuqishme ushtarake në botë – presim që ta përdorni atë për të mirën e të gjithë aleatëve”, shton më tej zoti Reeker. Ai thekson mbështetjen e fuqishme të Shteteve të Bashkuara për synimet e vendit ballkanik drejt integrimit në Bashkimin Evropian./VOA