89 startup-e që operojnë në fushën e teknologjisë do të mbështeten me grante nga buxheti i shtetit gjatë 2025-ës.
Fondi total mbështetjes së startup-eve në 4 vitet e para të kësaj nisme llogaritet në 10.5 milionë Euro nga të cilat 2 milionë Euro të Bashkimit Europian dhe pjesa tjetër fond i qeverisë shqiptare.
Fituesit e kësaj nisme u bënë bashkë në një takim me kryeministrin Rama ku dhe prezantuan sipërmarrjet e tyre.
“Meqë ti po bën një studim për sjelljen e zogjve, po sjelljen e shqiptarëve do të na e studiosh pak se janë më të palexueshëm se zogjt”, tha Rama.
Kryeministri foli për rëndësinë që ka përqafimi i teknologjisë që po gjen përdorim dhe në shërbimet publike me ndërtimin e platformës e-Albania. Ai ndau me të pranishmit dhe rezultatet e një analize të bërë për përfitimet e përdorimit të kësaj platforme.
“I janë kursyer shqiptarëve 620 milionë Euro në total. 75 milionë fletë letre. Koha e kursyer, 25 mijë rrotullime rreth tokës”, tha Rama.
Përdorimi i teknologjisë dhe për procesin e negociatave ishte shpëtim sipas kryeministrit që njofton se brenda Qershorit ekipi negociator do të ketë gati të gjithë dokumentacionin e kërkuar nga Brukseli.
“Në harkun e 5-6 muajve ne do ta kemi të përfunduar nga pikëpamja e gjithë volumit, do ta kemi ne shqip dhe me një cilësi shumë të lartë“, tha ai.
Anëtarësi në BE, Rama ju kujton dhe sipërmarrëseve në fushën e teknologjisë që do të thotë më shumë mbështetje financiare dhe për ta.
Tv Klan