Vrasja e ish-policit, hetohen konfliktet në Angli


Vrasja e ish-policit, hetohen konfliktet në Angli

12:10 28/08/2021

Policia sekuestron 10 gëzhoja në vendin e ngjarjes

10 gëzhoja kallashnikovi janë gjetur në vendin e ngjarjes nga grupi hetimor i Policisë së Shkodrës, i cili po heton për zbardhjen e ekzekutimit të ish-efektivit të policisë, Sokol Çelaj. Burime nga Policia e Shkodrës bëjnë të ditur se gëzhojat janë dërguar për ekspertizë për të vërtetuar nëse në ngjarje është përdorur më shumë se një armë.

Gjithashtu, blutë e Shkodrës kanë shoqëruar disa persona në lidhje me këtë ngjarje, të cilët mund të kenë dijeni për lëvizjet në zonë dhe ndonjë konflikt të mundshëm të viktimës. Gjithsesi të njëjtat burime thonë se po hetohet në disa pista, duke përfshirë edhe konfliktet që mund të ketë pasur 59-vjeçari gjatë qëndrimit në Mbretërinë e Bashkuar.

59-vjeçari Sokol Çelaj mbeti i vrarë mbrëmjen e enjtes gjatë një atentati me armë në Malësinë e Madhe. Ai ishte duke udhëtuar me një makinë fuoristradë së bashku me bashkëshorten e tij dhe rreth 50 metra në afërsi të shtëpisë së tyre në fshatin Reç një person i bëri pritë duke e qëlluar me kallashnikov.

Atentatit mundi t’i shpëtojë gruaja, e cila fatmirësisht nuk u prek nga breshëria e të shtënave. Vetë bashkëshortja e Sokol Çelajt, në dëshminë e saj të parë në polici deklaroi se nuk kishte arritur ta identifikoje autorin për shkak të errësirës.

Viktima për disa vite ka qenë emigrant në Angli dhe ishte kthyer në Shqipëri për pushime në datën 18 Gusht. Gjithashtu Sokol Çelaj ka qenë dënuar me 6 vite burg për një vrasje të kryer në vitin 1989, gjatë kohës që kishte qenë efektiv policie.

Tv Klan






Të ngjashme