Në ditën ndërkombëtare të gruas disa gra kanë vendosur të protestojnë për të drejtat e tyre dhe jo të festojnë. Vetëm këtë ditë, 10 gra kanë denoncuar në polici se ndaj tyre është ushtruar dhunë. Tre prej tyre, te dhunuara kanë kërkuar urdhër-mbrojtje në kryeqytet, ndërsa 7 të tjera në rrethe.

Burime nga policia bëjnë me dije se një prej femrave që ka kërkuar urdhër-mbrojtje është dhunuar nga bashkëshkëshorti për faktin se i kërkoi që të festonte 8 Marsin. Prej Janarit të 2019 deri tani kanë përfituar urdhër të menjëhershëm mbrojtje 428 gra. Ndërsa në vitin që lamë pas, 3690 gra dhe vajza kanë rënë pre e dhunës. Por më tragjike është krimi në familje. Në 2 muajt e parë të 2019, 8 gra kanë mbetur të vrara nga bashkëshortët apo familjarët e tyre.

Pak ditë më parë në qytetin e Korçës, djali mbyti nënën e tij. 84-vjeçarja Nazime Demollari u gjet e pa jetë në banesën e saj. Për ngjarjen u arrestua Nazim Demollari, që sipas hetuesve ka rezultuzar se mbyti me duar nënën e tij pas një sherri në banesë. Paraditen e 8 Marsit, Gjykata e Korçës vendosi të caktojë masën e arrestit me burg për 64-vjeçarin.

Tv Klan