Punësime në Spitalin e Shkodrës dhe OSHEE

9 anëtarë të grupit kriminal Bajri janë vënë në pranga, ndërsa një tjetër është shpallur në kërkim pas operacionit të koduar OAZ.

Të arrestuarit janë vënë nën përgjim nga Prokuroria e Krimeve të Rënda dhe akuzohen se kryenin punësime me anë të kanosjes në institucione shtetërore si OSHEE dhe Spitalin Rajonal të Shkodrës.

Gjykata e Krimeve të Rënda ka caktuar masën arrest me burg për Behar Bajrin, Safet Rustemi, Ilir Rustemin, Asmer Bilalin, Ismet Idrizi, Sirjan Alija dhe Jorida Murati.

Ndaj këtyre personave rëndojnë akuzat e ushtrimit të ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike, shtrëngim me anë të kanosjes ose dhunë për dhënien e pasurisë të kryera në kuadër të grupit kriminal, si dhe shpërdorimi i detyrës.

Nën masën e sigurisë arrest në shtëpi, Krimet e Rënda kanë lënë Senad Hallunin, Florine Hoxhën dhe Mira Nikajn, të gjithë funksionarë në spitalin rajonal të Shkodrës, ndaj të cilëve rëndon akuza e shpërdorimit të detyrës.

Policia thotë se ka ushtruar kontroll në 6 banesa. Në atë të Jonida Muratit u sekuestruan 9 mijë euro. Nga hetimet mësohet se 32-vjeçarja Murati, ishte e punësuar formalisht si infermiere në Spitalin e Shkodrës duke përfituar pagat në mënyrë formale.

Tv Klan