Ritme të shpejta të përhapjes në Spanjë e Francë

Koncertet nga ballkoni po shndërrohen në modë në shumë qytete europiane, teksa banorët përpiqen të argëtojnë njëri-tjetrin në kushtet e shtetrrethimit.

Pamjet janë xhiruar në Madrid, ku aplikohen masa të ashpra kundër përhapjes së koronavirusit. Në gjithë vendin, epidemia po zgjerohet me ritme të shpejta, të ngjashme me ato të Italisë. Listës së viktimave ju shtuan 235 persona gjatë 24 orëve të fundit, duke e çuar në 1002 numrin e përgjithshëm të tyre. Numri i të infektuarve ka arritur në gati 20 mijë.

Spanja renditet e dyta në Europë pas Italisë, që të enjten shënoi 3.405 viktima në total e mbi 41 të infektuar prej fillimit të përhapjes.

Presidenti francez Emanuel Macron tha gjatë një konference për shtyp, se vendi i tij ndodhet aktualisht në nisje të luftës me koronavirusin dhe se ka një rrugë të gjatë përpara. Ky vend numëron mbi 371 të vdekur me mbi 10 mijë të infektuar.

Irani po ashtu ka rritje të ndjeshme të numrit të viktimave, 149 brenda një dite duke e çuar në mbi 1400 totalin dhe afro 20 mijë të infektuar. Autoritetet i kërkuan Shteteve të Bashkuara të pezullojë përkohësisht sanksionet, sa të kapërcehet emergjenca.

Ndërsa në Wuhan, vatra e pandemisë globale për të dytën ditë radhazi nuk është shënuar asnjë i infektuar i ri. Në gjithë vendin numërohen 39 raste të reja brenda 24 orëve, të gjithë të ardhur nga jashtë.

Globi numëron 10 mijë viktima e afro 250 mijë të infektuar prej fillimit të përhapjes.

Tv Klan