Teksa lëmë pas vitin 2016 shumë pyesin nëse ky ishte viti më i keq në histori. Revista amerikane “The Atlantic” shkruan se ky nuk ishte as viti më i keq në gjysmë shekullin e fundit (kujtoni 1968-ën, 1974-ën ose 1979-ën). Por, 2016-a sigurisht që pati ngjarje shumë të rëndësishme në rang global. Më poshtë gjeni 10 më të rëndësishmet, shumë prej të cilave do të jenë me ne edhe në 2017-ën.

– Kolumbia arrin marrëveshje paqeje me rebelët e FARC-ut

Nëse nuk arrin sukses, gjej një tjetër mënyrë për ta përfunduar punën. Presidenti kolumbian, Juan Santos, e ndoqi me zemër këtë këshillë. Ai së pari fitoi zgjedhjet në 2010-ën me premtimin për të vazhduar luftën 50-vjeçare kundër grupit rebel marksist FARC. Me të marrë pushtetin ndryshoi mendje. Vite të tëra bisedimesh për paqe kulmuan me shpalljen e marrëveshjes 6-pikëshe më 25 Gusht, 2016. Por, pasi kolumbianët e refuzuan marrëveshjen me referendum, Santos, i cili fitoi çmimin Nobel për Pare 2016, arriti një marrëveshje të re e cila u shpall më 24 Nëntor dhe u votua nga parlamenti një javë më vonë. Kolumbianët tanimë shpresojnë që marrëveshja e re do të funksionojë. Konflikti me FARC-un ka vrarë rreth një çerek milioni njerëz, duke u kthyer në konfliktin më të përgjakshëm dhe më të gjatë në Amerikën Latine.

– Brazili dhe Koreja e Jugut shkarkojnë Presidentet

Presidentja Dilma Rousseff mendoi se 2016-a to të ishte një vit triumfi politik teksa Brazili përgatitej të priste Lojërat Olimpike për herë të parë. Në vend të kësaj, ekonomia larg nivelit të parashikuar dhe një skandal masiv tek Petrobras, kompania shtetërore e naftës, ndihmoi që popullariteti i Presidentes të zbriste në 13 për qind. Në gusht, kongresi brazilian e shkarkoi nga detyra dhe tashmë ajo po përballet me drejtësinë.

Në Korenë e Jugut, Park Geun-hy, u sulmua në tetor kur u bë publik lajmi se një mik i saj kishte përdorur miqësinë me Presidenten për të influencuar vendimet qeveritare dhe për të zhvatur para nga kompanitë koreane. Qindra mijëra koreanë mbushën rrugët për të kërkuar shkarkimin e Presidentes. Në dhjetor, Parlamenti Korean ia plotësoi dëshiron popullit. Ajo tashmë është e pezulluar nga detyra derisa Gjykata Kushtetuese të dalë me një vendim mbi ligjshmërinë e vendimit të Parlamentit.

Dilma Rousseff dhe Park Geun-hy ishin Presidentet e para femra të Brazilit dhe Koresë se Jugut, respektivisht ekonomia e nëntë dhe 11-të më e madhe në botë.

– Siri, bie Alepoja Lindore

Çfarë zë fill me një premtim mund të përfundojë në tragjedi. Kur sirianët u ngritën në revolta në Mars 2011, për një kohë u duk sikur Bashar Al Asadi do të rrëzohej nga pushteti. Qeveria e tij e dominuar nga alevitë fillimisht humbi territor përballë grupeve rebele. Por, me përdorimin e taktikave barbare që përfshinë armët kimike, Asadi ia doli të frenojë humbjet.

Me përfshirjen direkte të Rusisë në konflikt në Shtator 2015, forcat qeveritare siriane kaluan në sulm. Në qershor 2016 ata nisën operacionin masiv për të marrë kontrollin e Alepos Lindore, e cila kontrollohej nga rebelët. Në Dhjetor konflikti u përshkallëzua në anë që Kombet e Bashkuara e quajtën “katastrofa më e madhe humanitare në një gjeneratë.” Me 15 Dhjetor u arrit marrëveshja që lejonte forcat e mbetura rebele së bashku me shumë civilë të evakuoheshin nga qyteti.

Rënia e Alepos nuk i jep fund luftës civile në Siri, e cila deri më tani ka vrarë rreth gjysmë milioni njerëz dhe ka detyruar 11 milionë të tjerë të lënë shtëpitë e tyre. Shumica e pjesës lindore të Sirisë mbetet në duart e kryengritësve. Madje teksa Alepoja ra, Shteti Islamik rimori kontrollin e qytetit historik të Palmyras nga trupat siriane dhe ruse. Tragjedia vazhdon.

– Dështon grushti i shtetit në Turqi

Natën e 15 korrikut një fraksion i ushtrisë turke u vu në lëvizje të rrëzonte Presidentin gjithnjë e më autoritar, Recep Tayyip Erdogan, për të rivendosur atë që ata e quajtën “rendi kushtetues”. Grushti i papritur i shtetit u duk i suksesshëm në fillim. Por, Erdogan, i cili ishte me pushime në qytetin bregdetar të Marmarisit, u paraqit në televizione anekënd vendit. Duke përdorur aplikacionin FaceTime në një iPhone, ai u bëri thirrje qytetarëve të zmbrapsnin grushtin e shtetit. Turqit u përgjigjën. Mijëra dolën në rrugë dhe nga mëngjesi forcat ushtarake besnike ndaj qeverisë kishin rimarrë kontrollin. Erdogani fajësoi Fetullah Gylenin, një ish-aleat politik që jeton në mërgim në Pensilvani të SHBA-ve, për grushtin e shtetit dhe kërkoi ekstradimin e tij. Uashingtoni refuzoi kërkesën duke e argumentuar me mungesën e provave, gjë që zemëroi Ankaranë dhe u dha jetë teorive të konspiracionit që Shtetet e Bashkuara kishin inkurajuar grushtin e shtetit.

Ndërkohë, Presidenti turk nisi spastrimin masiv të “gylenistëve” të dyshuar, që u më pas u përdor për të shënjestruar çdo lloj kritiku të qeverisë. Më shumë se 100 000 zyrtarë janë arrestuar apo pushuar nga puna, janë mbyllur dhe ndëshkuar grupe të tëra mediatike dhe janë burgosur politikanë të njohur kurdë. Erdogani doli shumë më i fortë politikisht nga grushti i shtetit, ndërsa demokracia turke shumë më e dobët.

– Rodrigo Duterte zgjidhet President i Filipineve

Rodrigo Duterte fitoi zgjedhjet presidenciale me 39 për qind të votave në muajin Maj dhe ndryshoi me shpejtësi mënyrën se si funksionojnë punët në kryeqytetin Manila. Një burrë kapadai, me një dell të fortë anti-amerikan, distancoi Filipinet nga SHBA-të, një shtet që shumica dërrmuese e filipinasve e pëlqejnë dhe me të cilin Filipinet kanë traktat aleance.

Duterte e quajti Presidentin Obama “bir k***e”, njoftoi se do të kërkonte ndarje nga Shtetet e Bashkuara dhe tha se trupat amerikane duhet të largoheshin nga Filipinet brenda dy vitesh.

– Marrëveshja e Partneritetit Trans-Paqësor

Marrëveshja e Partneritetit Trans-Paqësor u nënshkrua nga Australia, Brunei, Kanadaja, Kili, Malajzia, Zelanda e Re, Meksika, Peruja, Singapori, SHBA-të, Japonia dhe Vietnami, por deri më tani është ratifikuar vetëm nga Japonia.

Partneriteti Trans-Paqësor, i cili u negociua për plotë shtatë vite, ishte marrëveshja tregtare më e madhe në histori si dhe gur themeli për politikat ribalancuese të administratës Obama në Azi. Por, marrëveshja u sulmua si nga kandidati demokrat për President të Amerikës ashtu edhe ai republikan.

Obama shpresonte për ratifikimin e marrëveshjes në Kongres, por zgjedhja e Trumpit President ka shuar çdo mundësi tashmë. Shumë ekspertë të politikës së jashtme mendojnë se fituesit më të mëdhenj nga dështimi i marrëveshjes nuk janë punëtorët amerikanë, siç pretendohet, por Kina, e cila tashmë do të ketë fjalën e saj në shkrimin e rregullave që do ndikojnë tregtinë në rajonin më dinamik të ekonomisë globale.

– Koreja e Veriut kryen teste bërthamore dhe raketore

Për më shumë se dy dekada Uashingtoni ka ushtruar presion mbi Phenianin për t’i dhënë fund programit të tij bërthamor. Por, Koreja e Veriut vijon rrugën përpara. Në Janar, ajo kreu testin e katërt bërthamor që prej vitit 2006, gjë që u pasua me një seri testesh raketore. Më 9 Shtator ajo kreu testin e pestë bërthamor, duke prodhuar një eksploziv prej 10 kilotonësh, më të madhin të prodhuar deri më tani.

Përkundër pretendimeve të Phenianit, Koreja e Veriut me shumë gjasa nuk ka arritur ende tek teknologjia e nevojshme për një bombë hidrogjeni dhe është disa vite larg vendosjes së një bombe bërthamore në një raketë që mund të arrinte deri në Shtetet e Bashkuara. Mirëpo, Koreja e Veriut ka kapacitetet e nevojshme për të goditur Japoninë apo Korenë e Jugut.

– Britania voton për të lënë Bashkimin Evropian

Të gjithë sondazhet tregonin se kampi për të qëndruar në Bashkimin Evropian ishte përpara kampit që mbronte daljen nga unioni. Por, në ditën e votimit britanikët votuan 52 me 48 për qind për të dalë nga grupi me 28 shtete. Kjo nxori në pah një ndarje mes votuesve britanikë. Skocia dhe Irlanda e Veriut votuan për të qëndruar, sikurse edhe të rinjtë, më të arsimuarit dhe qytetarët, teksa Anglia, Uellsi, të moshuarit, më pak të edukuarit dhe banorët ruralë votuan për të lënë Bashkimin Evropian. Ky referendum solli dorëheqjen e Kryeministrit britanik David Kameron, që u pasua në detyre nga Theresa May, e cila pavarësisht se ishte anëtare e kampit të qëndrimit në BE, e bëri të qartë se shteti që ajo udhëheq do ta linte bllokun.

Parlamenti Britanik pritet të vendosë për nisjen e bisedimeve në Mars 2017, por Holanda, Franca dhe Gjermania të cilat kanë zgjedhje këtë vit, me shumë gjasa nuk do të vendosin mbi atë çfarë do t’i ofrojnë Britanisë para përfundimit të zgjedhjeve në shtetet e tyre.

– Rusia ndërhyn në zgjedhjet presidenciale në Amerikë

Komuniteti i Shërbimeve Inteligjente amerikane bie dakord se operativët rusë hakuan sistemet e emaileve të Komitetit Kombëtar të Demokratëve dhe John Podestas, kryetarit të fushatës së Hillari Klintonit. Më pas, këto informacione iu kaluan WikiLeaks-it për publikim. Hakimet u kryen nga grupe të quajtura “Cozy Bear” dhe “ Fancy Bear”, dy grupe që rezulton se punojnë për shërbimet inteligjente ruse.

WikiLeaks filloi me publikimin e emaileve në Korrik 2016. Ata publikuan komunikime të turpshme mes ndihmesave të Klintonit, gjë e cila supozohet se e dëmtoi atë në zgjedhje.

Në tetor administrata amerikane e akuzoi publikisht qeverinë ruse. Së fundmi, CIA kishte arritur në përfundimin se Rusia kishte vepruar për të ndihmuar zgjedhjen e Trumpit President, dhe se Presidenti Putin e kishte autorizuar operacionin personalisht. Trump reagoi duke i quajtur “qesharake” pretendimet.

Obama në krahun tjetër urdhëroi hetim të mëtejshëm dhe u zotua të ndërmarrë veprime kundër Rusisë. Në javën e fundit të vitit, Presidenti Amerikan vendosi për dëbimin e 35 diplomatëve rusë nga SHBA-të. Putin reagoi duke thënë se do të priste për të marrë vendime hakmarrëse ndaj Amerikës derisa Presidenti Trump të merrte detyrën më 20 Janar.

Qëndroni në korrent, kjo ngjarje do të jetë me ne për ca kohë.

– Donald Trump zgjidhet President i SHBA-ve

Qesh mirë kush qesh i fundit dhe Donald Trump qeshi i fundit. Ekspertët politikë hedhën poshtë shanset e tij presidenciale që prej momentit të parë që ai shpalli kandidaturën. Por, më 8 Nëntor, amerikanët vendosën ta zgjedhin atë si President të 45-të të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Trump është një nga 5 Presidentët amerikanë që është zgjedhur në detyrë pavarësisht se ka humbur votën popullore. Ai po ashtu është Presidenti i parë amerikan pa eksperiencë të mëparshme si në administratë ashtu edhe në ushtri.

Kandidati Trump u zotua se do të ndërtonte një mur në kufirin amerikano-meksikan, se do të shfuqizonte marrëveshjet e mëdha tregtare të Amerikës, vuri në pikëpyetje aleancat e SHBA-ve, si dhe denoncoi politikën e saj të jashtme në mënyrën si është praktikuar përgjatë tri dekadave të fundit nga të dyja partitë.

Ndryshime rrënjësore pritet të ndodhin në politikën e jashtme amerikane. Trump ka premtuar një linjë më të ashpër me Kinën dhe një linjë më të butë me Rusinë. Marrëdhëniet ruso-amerikane mund të shkaktojnë probleme të mëdha për Trumpin si dhe konflikte brenda republikanëve, veçanërisht pas raportit të CIA-s se Kremlini e ka ndihmuar atë për të fituar presidencën. Vendimet e Presidentit Trump në politikën e jashtme sipas të gjitha gjasave do të dominojnë titujt kryesorë të lajmeve në vitin 2017, dhe me shumë mundësi do të ridizajnojnë marrëdhëniet e Amerikës me botën.

– Ngjarje të tjera të rëndësishme në 2016-ën

Në Janar Irani ndërpreu marrëdhëniet diplomatike me Arabinë Saudite pasi kjo e fundit ekzekutoi liderin shii Nimr al-Nimr.

Në Shkurt, Papa Francis dhe Patriarku Kirill u takuan në Kubë. Ky ishte takimi i parë mes kreut të kishës romane katolike dhe ruse ortodokse në rreth 1000 vite.

Në muajin Prill u publikuan “Panama Papers”, të cilat treguan se si shumë të pasur fshihnin pasuritë e tyre në shtetet e quajtura parajsa fiskale.

Virusi Zika u shfaq si një kërcënim i madh global

Në Tetor forcat irakene, të ndihmuara nga forcat kurde dhe të udhëzuar nga Forcat Speciale Amerikane nisën një ofensive për të marrë kontrollin e Mosulit nga Shteti Islamik.

Mateo Renzi, i cili u paraqit vrullshëm në skenën politike italiane në 2014-ën si kryeministri më i ri, u dorëhoq në Dhjetor pasi votuesit italianë kundërshtuan në referendum planin e tij për të riorganizuar sistemin politik të vendit. Të njëjtën fundjave me italianët shkuan në votime edhe austriakët, të cilët zgjodhën kandidatin e Partisë së Gjelbër Alexander va nder Bellen për President të vendit dhe refuzuan kandidatin e ekstremit të djathtë Norbert Hofer.

Gjatë 2016-ës ndodhën sulme të përgjakshme terroriste në Francë, Gjermani, Pakistan, Turqi, etj. Lufta civile në Sudanin e Jugut u intensifikua.

2016-a me shumë gjasa do të mbesë në histori si viti më i ngrohtë i regjistruar ndonjëherë – të paktën deri vitin tjetër./tvklan.al