Spital mbështetës për dy spitalet e tjera Covid

Një ditë nga hapja e spitalit Covid 3, 10 pacientë rezultojnë të shtruar në këtë spital. Burime për Tv Klan bënë me dije se pacientët janë në gjendje të mirë shëndetësore.

Siç duket edhe nga pamjet e publikuara nga Ministria e Shëndetësisë pacientët e parë që po marrin ndihmë mjekësore janë zhvendosur nga dy spitalet e tjerë Covid, ai Infektiv dhe ai “Shefqet Ndroqi”. Këto dy spitale për shkak të numrit të lartë të të shtruarve nuk kanë më shtretër bosh.

Spitali Covid 3 do të veprojë si spital mbështetës për dy spitalet e tjera Covid, për ata pacientë të cilët negativizohen dhe përmirësohen klinikisht për t’u ndjekur më pas nga bluzat e bardha për rikuperimin e plotë të tyre.

Struktura e re në ish-repartin e Kirurgjisë brenda ambienteve të Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” ka një kapacitet prej 150 shtretër dhe një njësi reanimacioni. Për t’u ardhur në ndihmë pacientëve, te gjitha dhomat e spitalit Covid 3 janë pajisur me respiratorë, oksigjen dhe monitorë.

Gjithashtu siç shihet nga pamjet  aty funksionon edhe një  ekip mjekësor me mjekë dhe infermierë, të cilët kanë kryer edhe trajnimin disa mujor në spitalin Infektiv. Janë 10 mjekë profesionistë infeksionistë që do ndjekin gjendjen shëndetësore të pacientëve në spitalin Covid 3.

Të tre spitalet Covid kanë në total 470 shtretër, prej të cilëve 120 në spitalin Covid 1 në shërbimin infektiv, 200 në spitalin Covid 2 tek Sanatoriumi dhe 150 në Covid 3.

Tv Klan