Shënohen 656 raste të reja, rriten shtrimet në spitale

Shifrat zyrtare të Ministrisë së Shëndetësisë tregojnë se në 24 orët e fundit, numri i të infektuarve me Covid-19 kanë një luhatje shumë të lehtë nga një ditë më parë. 2174 testime e kryera kanë nxjerrë 656 raste pozitive, të shpërndara në të gjithë vendin, por ku Tirana vijon të mbetet epiqendra e infektimeve ditore, me 131 raste këtë të enjte.

Jetët e humbura në të 3 spitalet Covid janë 10 dhe grupmosha e viktimave është nga 44 deri në 85 vjeç.

Numri i të shtruarve në të 3 spitalet vazhdon të jetë shqetësues, duke shkuar në 469 ku 15 janë në terapi intensive dhe 4 qytetarë janë në gjendje edhe më të rëndë në intubim.

Edhe pse rastet kanë ardhur në rritje çdo ditë, aktualisht që prej rastit të parë të regjistruar me Covid në muajin Mars, vetëm afro 1 përqind e popullatës rezulton e infektuar, çka do të thotë se jemi ende shume larg asaj që mjekët e cilësojnë si imunizimi i tufës.

Në raportin ditor të Ministrisë së Shëndetësisë thuhet se 35 600 raste në total janë prekur nga koronavirusi i ri, ndërsa numri i jetëve të humbura 753.

Tv Klan